E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketimet e reja tregojnë se republikani Mekein, kryeson ndaj rivalit demokrat Obama.

Dy anketime të reja tregojnë se kandidati republikan për President, Xhon Mekein, kryeson ndaj rivalit të tij demokrat, Barak Obama.

Anketa e zhvilluar nga gazeta USA Today dhe organizata Gallup, tregon se, midis votuesve të regjistruar, zoti Mekein kryeson ndaj senatorit Obama 50 për qind me 46 për qind.

Sipas një ankete tjetër të përditshme po të organizatës Gallup, senatori Mekein gëzon një mbështetje prej 48 për qind në krahasim me 45 për qind për zotin Obama.

Anketat tregojnë se mbështetja për zotin Mekein u shtua pas Kuvendit të Partisë Republikane, i cili u zhvillua javën e kaluar dhe pas zgjedhjes së Guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin, si kandidate për nënpresidente.

Nënpresidenti amerikan Dik Çeni u tha të hënën gazetarëve në Romë se nuk ka arsye që zonja Pejlin të mos jetë e sukseshme në postin e nën-presidentit në administratën e zotit Mekein. Zoti Çeni shprehu mendimin se fjalimi i guvernatores së Alaskës në kuvendin e partisë republikane javën e kaluar në Sejt Pol të Minesotës ishte i shkëlqyer.

Dje, në emisionin "Përballë Kombit" në rrjetin televiziv CBS, senatori Mekein e paraqiti vetveten si një forcë për ndryshim brenda Partisë Republikane, duke luftuar shpenzimet e mëdha dhe mbështetjen për reformën mbi financimin e fushatave elektorale. Zoti Mekein tha se në qoftë se zgjidhet, ai do të emëronte në pozicionet më të larta demokratë dhe të pavarur.

Në një intervistë dje në rrjetin televiziv ABC, senatori Barak Obama, tha se ishte i gatshëm për ndërmarrjen e ndryshimeve të mëdha të cilat mund të jenë të panjohura për demokratët, si uljen e shpenzimeve për mjekët në raste të çështjeve gjyqësore dhe rritjen e numrit të ushtrisë. //mm//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›