Anketimi, gjysma e studentëve vjedhin në internet detyrat e kursit
Gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës i kanë të kopjuara detyrat e kursit që dorëzojnë në fakultet. Shifra është nxjerrë në bazë të një anketimi, që Këshilli Studentor i këtij Universiteti ka realizuar, sipas të cilit, 49 për qind e studentëve bëjnë plagjiaturë. Ndërkohë që, 82 për qind e atyre që bëjnë plagjiaturë përdorin Ëikipedia-n, për detyrat e tyre të kursit.
Mbi 100 studentë janë pyetur në qoftë se ata kanë përdorur të paktën një nga format e mëposhtme, të klasifikuara si plagjiaturë: dorëzimi i detyrës së dikujt tjetër, copy, paste nga interneti, kopjimi i statistikave ose i fushave të studimit, krijimi i statistikave ose i fushave të studimit, përdorimi i ideve të dikujt tjetër pa miratim, blerja e detyrës nga dikush. Shumë nga studentët që kanë marrë pjesë në studim kanë qenë të habitur që ata faktikisht bënin plagjiaturë. Kjo për faktin se ata ishin të paqartë mbi atë se çka universiteti quan plagjiaturë. Ndërsa disa studentë të tjerë e dinë se çfarë klasifikohet si plagjiaturë, por thjesht nuk janë dakord. Të thuash se përdorimi i mendimeve që nuk janë plotësisht të tuat quhet plagjiaturë më duket absurde, ka thënë njëri prej tyre. Por, midis studentëve që e dinë çfarë është ose ajo plagjiatura ka edhe nga ata, të cilët janë plotësisht të ndërgjegjshëm që bëjnë plagjiaturë, por nuk janë të frikësuar nga pasojat.