Anketimi mbi Klimën e Biznesit 2024, DIHA: Pritshmëri të qëndrueshme, shqetësim fuqia punëtore

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) prezantoi sot rezultatet e Anketimit mbi Klimën e Biznesit 2024, në prani të ambasadorit gjerman, Karl Bergner, si dhe me pjesëmarrjen e partnerëve të DIHA-s dhe medieve.
Gjatë prezantimit të anketimit të bërë nga Shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë, DIHA, ambasadori Bergner ka vlerësuar klimën e bizneset në Shqipëri duke thënë se ka një përmirësim pozitiv krahasuar me 2023, edhe pse ka ende shumë sfida me të cilat sektori ekonomik në vend përballet.
“Gjermania është një partner afatgjatë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Zhvillimi ekonomik i vendit është në këtë rrugëtim po ashtu një përpjekje e madhe. Gjermania mbështet Shqipërinë në mënyrë intensive dhe gjithashtu në shumë nivele: përmes mbështetjes së integrimit rajonal të Shqipërisë, përmes këshillimit të qeverisë shqiptare në grupkapitujt mbi tregun e brendshëm, si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në sektorët e energjisë, ujit, zhvillimit të qëndrueshëm urban, arsimit profesional, startup-eve dhe inovacionit. Megjithatë, për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si dhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët”, tha ai.
Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg-Farka mbajti fjalën e saj përshëndetëse dhe theksoi se rezultatet e anketës së fundit ekonomike tregojnë se pritshmëritë e kompanive anëtare mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të punës mbeten shqetësime kryesore për biznesin. Megjithatë, pavarësisht sfidave rajonale dhe globale, vendi duhet të vazhdojë të fokusohet tek integrimi në Bashkimin Evropian.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.
Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën shkurt-mars 2024, situata aktuale ekonomike në Shqipëri vlerësohet në rritje nga viti i kaluar, ku vihet re se 45% e kompanive e vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme”.
Nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë në këtë anketim 1533 kompani.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë.
DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet dypalëshe të biznesit dhe këshillon kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe kërkime tregu. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK ka në të gjitha vendet, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane. Deri më tani numërohen 93 shtete me mbi 150 zyra përfaqësie në të gjithë botën
1 nga 3/r.e/