Vrasja e efektivit, Policia i bën thirrje autorit të vetëdorëzohet

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Kreu i Policisë së Fierit Lorenc Panganika, i ka bërë thirrje autorit të vrasjes së efektivit të Policisë të vetëdorëzohet. Po ashtu ai u ka bërë thirrje dhe familjarëve të autorit të mundësojnë vetëdorëzimin e Azgan Mërnicës, i cili i mori jetën punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Sipas Drejtorit të Policisë së Fierit në rast se ai nuk të vetëdorëzohet, reagimi i Policisë do të jetë i ashpër.
“Policia ka marrë njoftim rreth orës 13:15, për një ngjarje të rëndë. Pas verifikimit ka rezultuar se ishte plagosur dhe më pas ka ndërruar jetë punonjësi i Policisë së Fierit prej 4 vitesh dhe forcave “Shqiponja” prej 2 vitesh Novruz Cenalia. Autori i identifikuar është Azgan Mërnica”.
“I bëj thirrje autorit dhe familjarëve të dorëzohet pasi reagimi do jetë shumë i ashpër. Jemi duke kërkuar me informacione, tratativa etj. Pista kryesore është motive çasti, jo probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit. Jo s’ka lidhje me hakmarrjen, të paktën deri tani që flasim”, tha Panganika duke iu përgjigjur medieve.
Sakaq, Policia ofron 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion në lidhje me 23-vjeçarin Azgan Mërnica i cili dyshohet se është autori i vrasjes së efektivit të policisë Novruz Cenalia.
Sipas njoftimit të Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 minuta, në fshatin Baltëz, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin”. Pas ngjarjes, 23-vjeçari Mërnica është larguar me automjet nga vendi ku kreu vrasjen.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special RENEA, nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit. Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.
/a.f/r.e/