E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi i qeverisë në Kushtetuese, Rama: Zgjatja e pezullimit të një ministri, zgjat edhe listën e punëve të bllokuara

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke argumentuar arsyet pse qeveria ka bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese.

Në një postim në X, Rama theksoi se pezullimi “absurd”, siç e cilëson ai, po krijon pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e qeverisë dhe në interesin publik. Kryeministri solli si shembull procesin e finalizimit të marrëveshjes dypalëshe me Kanadanë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike.

Sipas tij, pala kanadeze ka dhënë përgjigje pozitive dhe procedura ka arritur në fazën e nënshkrimit, por kjo nuk mund të vijojë për shkak se kompetenca për firmosjen e marrëveshjes i takon ekskluzivisht ministrit të linjës dhe “nuk mund të delegohet tek askush tjetër”.

“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cenojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik: Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthim-përgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër”, shkruan Rama.

Rama tha se çdo ditë shtesë pezullimi i një ministri rrit numrin e punëve të bllokuara. Kryeministri thekson se ky është një precedent i paprecedent në botë dhe se pezullimi i një anëtari të qeverisë, në mes të detyrave të rëndësishme shtetërore, po sjell pasoja konkrete në administrim dhe projekte madhore kombëtare.

“Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit. Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, shkruan Rama.

Më 4 dhjetor do të mblidhen gjyqtarët e Gjykata Kushtetuese për të vendosur nëse do të pranojnë për shqyrtim ankimimin e qeverisë ndaj vendimit GJKKO që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Më herët Kolegji i gjyqtarëve nuk arriti unanimitet, ndaj çështja i kaloi Mbledhjes së Gjyqtarëve për vlerësim të pranueshmërisë. Ankimi kërkon zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash dhe përcaktimin e balancës mes pushteteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›