Baçi: Lëvizja e Ervin Salianjit ndezi zjarrin e munguar në PD

Analisti Agim Baçi ka deklaruar në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt në RTSH1 se lëvizja e fundit e Ervin Salianjit ka ndezur zjarrin që mungonte në Partinë Demokratike.
Baçi tha se sapo u pikas për fillimin e disa takimeve brenda radhëve të eksponentëve të Partisë Demokratike menjëherë nisën disa ndryshime në selinë blu nga ana e kryedemokratit Berisha.
“Në fillim tha që është i mirëpritur çdo demokrat që diskuton për Partinë Demokratike, pastaj tha unë kam takuar këdo që është votuar dhe në momentin që u lajmërua për fillimin e takimeve për disa ditë me radhë kishte ndryshime brenda Partisë Demokratike. U fol shpejt për debatet në bazë, Xhemal Gjunkshi u ftua dhe u bë këshilltar për Sigurinë Kombëtare i kryetarit të Partisë Demokratike”, tha Baçi.
Analisti shpjegoi më tej se lëvizjet e brendshme në Partinë Demokratike ishin të domosdoshme pasi nevojitej një rienergjizim përballë mazhorancës së Edi Ramës.
‘Pra, nënkupton që lëvizja ishte e domosdoshme. E ndezi zjarrin dhe e ndezi atë që ishte me rëndësi. Po të shikojmë çfarë kishte nevojë grupi në thelb? Nevojën për rienergjizim e Partisë Demokratike përballë qeverisë që ka kaq shumë skandale. Nisur nga pjesëmarrja shumë e ulët e demokratëve në protestë, nisur nga mbështetja e pakët qytetare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, nisur nga një reagim shumë i dobët qytetar në lidhje me atë çka ndodh me situatën e fundit në qeveri”, theksoi Baçi ndërsa shtoi se ky moment shihet si një rindezje e shpresave të demokratëve.
“Të gjitha këto kishin një gjë në thelb, çfarë do të bëjë opozita, çfarë do të bëjë Partia Demokratike përballë kësaj qeverie, përballë kësaj situate për të rindezur shpresat e qytetarëve që mund të jetë një instrument në duart në qytetarëve që të bëjë rotacionin politik”, nënvizoi analisti Agim Baçi.
/rtsh.al/