Elementi që gëzoi babanë/ Malvina Likaj i këndon dashurisë përtej shpirtit në Fest64

Nga muzika lirike te polifonia, nga backvocaliste te skena e Festivalit të Këngës në RTSH. Ky është rrugëtimi i këngëtares Malvina Likaj, e cila debuton në Fest64.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Likaj tregon se pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës e ka dëshiruar që e vogël. “Jam rritur në një shtëpi ku këndohej shumë. Mamaja më këndonte këngët e festivaleve ndër vite, ndërsa babai me muzikën polifonike. Me kalimin e viteve kisha shumë dëshirë të kisha një këngë në festival”, shprehet këngëtarja, e cila i kërkon bashkëpunëtorit të saj të shumë këngëve, Klodian Qafoku, të merrnin pjesë në festival. “Doja një këngë që të tregoja çdo gjë që Malvina mund të bëjë, të vendos shpirtin tim aty. Kisha një melodi në mendje dhe e zhvilluam. Duke menduar për tematikën e këngës, instinktivisht më erdhi titulli ‘Përtej shpirtit’”
Kënga flet për një dashuri sublime, “e cila shkon përtej shpirtit, përtej mishit e gjakut, përtej fizikes e të prekshmes, përtej kohës”, zbulon ajo. “Kënga ka një sërë elementësh brenda, që nga polifonia me të cilën jam rritur, baza mbi të cilën kam zhvilluar rrugëtimin artistik. Doja diçka të bazuar në traditë por me një frymë moderne dhe bashkëkohore”.
Siç tregon këngëtarja, elementi i polifonisë në këngë ka gëzuar shumë babanë e saj. “Babi është kritiku im më i madh. Babi ka qenë shumë i lumtur vetëm për një gjë, ‘shyqyr që përfshive pak polifoninë time’. Këshilla e tij është që shoh si eksperiencë që vlen për t’u shijuar”.
Bashkëpunimi me kompozitorin e këngës, Klodian Qafoku, vjen pas shumë këngësh të realizuara më herët. “Kemi një kimi artistike të frikshme. Kuptohemi shumë dhe kemi ide të njëjta. Gjendemi shumë mirë kur duam të krijojmë”.
E pyetur se cilën këngë të kompozuar nga Qafoku që na kanë përfaqësuar në Eurovision, “Zjarr e ftohtë” të Luiz Ejllit dhe “Botë” të Lindita Halimit, Malvina zgjedh: “’Zjarr e ftoht뒅 Kam qenë shumë e vogël kur e kam dëgjuar si këngë për herë të parë dhe e mbaj mend veten time përpara televizorit që kërceja. Atëherë u bë mjaft e njohur, të gjithë flisnin për atë këngë dhe e këndonin”.
Malvina Likaj ka studiuar për kanto në Universitetin e Arteve, por ka qenë muzika polifonike që ia ka rrëmbyer zemrën. Më herët, Likaj ka qenë për tre vite backvocaliste në Festivalin e Këngës.