E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen të vegjlit. Pragu 5 %, i lartë

Liderët e partive të vogla joparlamentare janë shprehur të pakënaqur me arritjen e konsensusit që pragu zgjedhor të mbetet 5 për qind. Ata kanë vlerësuar se kjo pajtueshmëri e liderëve të parive parlamentare është bërë me qëllim të eliminimit të partive të vogla nga skena politike e Kosovës. Pavarësisht kësaj, disa prej liderëve të partive joparlamentare kanë thënë se do të garojnë si subjekte të vetme politike në zgjedhjet lokale dhe nacionale.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, ka thënë të martën për “Epokën e re” se LB-ja do të garojë si subjekt i vetëm politik në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, ai ka vlerësuar se arritja e konsensusit që pragu zgjedhor të jetë 5 për qind i ka dëmtuar partitë e vogla dhe demokracinë. “Me mënyrën e vendosjes për çështjen e pragut zgjedhor është lënduar demokracia në shtetin e Kosovës. Së pari për kandidatët e pavarur nuk është dashur që pragu të jetë 3 për qind, pastaj për partitë politike sipas udhëzimeve të Këshillit të Evropës pragu duhet të jetë 3 për qind e jo 5 për qind, në mënyrë që të ruhet demokracia përfaqësuese. Po ashtu, edhe pragu zgjedhor 7 për qind për koalicione është i lartë. Pavarësisht kësaj, Lëvizja për Bashkim është duke u përgatitur që në zgjedhje të hyjë si parti politike e vetme”, ka thënë Klinaku.

Mendim të njëjtë, se pragu zgjedhor prej 5-përqindësh është i lartë, ka edhe kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Gjergj Dedaj. Ai ka thënë se pragu zgjedhor 5 për qind është shumë i lartë dhe diskriminues. “Kjo ka për qëllim eliminimin e partive të vogla nga skena politike, të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike të Kosovës. Në demokraci të gjithë duhet të kenë shanse të barabarta. Kjo lë për të dëshiruar sa iu përket proceseve të integrimit evropian sepse pa u përmbushur të gjitha standardet demokratike elementare s’mund të bëhet fjalë për integrim”, ka thënë Dedaj për “Epokën e re”. Ai ka treguar se në zgjedhjet e ardhshme PLK-ja do të garojë si subjekt i vetëm politik. “Sipas të gjitha gjasave, mund të garojmë të vetëm sepse skena politike e Kosovës do të ketë ndryshime”, është shprehur Dedaj.

Madje, Dedaj ka edhe një mesazh për partitë e mëdha. “Do të ndodhë edhe në Kosovë që partitë e mëdha të bëhen të vogla e partitë e vogla të bëhen të mëdha dhe për këtë do të vendosë elektorati”, ka thënë Dedaj.

Edhe kryetarja e Partisë Social Demokrate (PSD), Majlinda Nushi, ka thënë se pragu zgjedhor prej 5-përqindësh është shumë i lartë. Ajo ka thënë se PSD-ja do të marrë pjesë në proceset zgjedhore, por ende nuk ka qëndrim nëse do të garojë e vetme në zgjedhje apo do të hyjë në ndonjë koalicion parazgjedhor. “Pragu zgjedhor 5 për qind konsideroj se është i lartë për partitë e vogla. Kemi shpresuar që partitë e mëdha do të arrijnë kompromis që pragu të jetë 3 për qind. Kjo do të kishte qenë një ofertë më shumë për pjesëmarrje të shumëllojshme në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, për hir të aktivitetit të shtuar brenda partisë do të marrim pjesë edhe në zgjedhjet lokale edhe në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Nushi për “Epokën e re”. Ajo ka thënë se aktualisht nuk janë duke menduar për koalicione, por në të ardhmen nuk e përjashtojnë një gjë të tillë. “A do të jemi të vetëm apo të bashkuar është akoma herët të flasim. Se si do të garojmë në zgjedhje, vendimi do të merret nga kryesia dhe Këshilli Drejtues i partisë. Aktualisht nuk parashohim ndonjë koalicion parazgjedhor, mirëpo kjo nuk do të thotë se jemi kundër koalicioneve. Nëse vendosim për koalicion ai do të jetë i natyrshëm me ato parti me të cilat na lidh programi”, ka theksuar Nushi.

Pragun prej 5-përqindësh e ka vlerësuar si sfidë për partitë joparlamentare kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Ukë Berisha. Ai ka thënë për “Epokën e re” se ende nuk kanë vendosur nëse do të jenë pjesë e proceseve zgjedhore. “Pragu prej 5-përqindësh është bërë për t’i eliminuar partitë e vogla, prandaj ende nuk kemi vendosur se si do të veprojmë pasi pragu 5 për qind është shumë i lartë për ne. Duhet një guxim i madh për ta dalë vetëm në garë. Në rast se pragu zgjedhor do të bëhej 3 për qind ne do të garonim si parti e vetme”, ka thënë Berisha.

Duke folur për mundësinë e lidhjes së koalicioneve parazgjedhore me partitë e mëdha, Berisha ka thënë se për këtë gjë ende nuk kanë qëndrim. “Për koalicione s’kemi menduar pasi jemi të interesuar t’i bashkohemi bllokut të partive të krahut të djathtë, në rast se do të krijohet një bllok i tillë. Në të kundërtën do t’i analizojmë në parti zhvillimet dhe do të shikojmë se si do të veprojmë më tutje”, ka deklaruar Berisha. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›