Ankth në PS, s’japin dot përgjigje për Ilir Metën

Rinovimi i ftesës për dialog mes dy partive kryesore të së majtës ka sjellë një heshtje të thellë në selinë e PS-së. Edvini s’duket i kënaqur nga bashkimi momental i Paskal Milos me Skënder Gjinushin, prandaj s’jep dot përgjigje për takimin e kërkuar nga Ilir Meta, por nga ana tjetër, ka urdhëruar kasnecët të mbyllin telefonat, të paktën, derisa Kodi Zgjedhor, të sillet për diskutim në seancë plenare
TIRANE - Drejtues të lartë të Partisë Socialiste, të gjendur të kapur në befasi nga ftesa e Ilir Metës për një takim me Edi Ramën, kanë marrë statusin e personave të mekur që prej dy ditësh, ku ende nuk kanë artikuluar asnjë reagim për këtë ftesë publike. Përpos kësaj, drejtues të Partia Socialiste, nga më të rëndomtit në hierarkinë e kësaj partie, sërish vazhdojnë të dalin për çdo ditë, në ato që ata i lajmërojnë si konferenca shtypi, dhe nuk bëjnë asgjë më shumëse sa leximi i një të ashtuquajtur sipas tyre deklaratë, që më parë është redaktuar nga Edi Rama. Më pas këta suflerë zhduken, pa pasur kurajën t’i përgjigjen asnjë pyetje të gazetarëve, në të ashtuquajturën prej tyre konferencë shtypi.
Këtë kanë bërë as më shuam e as më pak dje edhe Taulant Balla dhe Ervin Bushati, që funksioni i të cilëve në PS-së, ka një emërtim aq të gjatë, sa edhe të parëndësishëm. Ndërsa interesimi i gazetarëve, natyrshëm, dje ishte përqendruar në “dorashkën që Ilir Meta i ka hedhur Edi Ramës për një takim, Taulant Balla dhe Ervin Bushati, nuk kishin asnjë lidhje me këtë interesim. Ata dolën, thanë çfarë deshën për raporte të KLSH-së e Bankës së Shqipërisë, që gazetarëve ju kishin rënë në dorë shumë më parë se Taulant Ballës e Ervin Bushatit, por nuk thanë asgjë për ftesën publike që kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bëri kryesocialistit Edi Rama për të zhvilluar një takim kokë më kohë në përpjekje të fundit për të arritur një konsensus për ndarjen e komisionarëve zgjedhorë në kampin e majtë.
Sigurisht, për këtë, Edi Rama nuk kishte shënuara asgjë në dy deklaratat respektive, që në mënyrë të pavarur, vetëm nga njëri-tjetri, lexuan dje Taulant balla e Ervin Bushati, thjesht dhe vetëm për të prodhuar nga një lajm respektiv, si për ditë pushimi, për mikrofonmbajtësit e televizioneve.
Ndërsa Ilir Meta deklaroi nga qyteti i Burrelit dy ditë më parë, gjatë një takimi me të rinj të dhe reja simpatizantë të kësaj force politike, se kjo tentativë e tij e fundit ishte një sforco, nisur edhe nga sjellja periodike indiferente e socialistëve gjatë grevës 8-ditore të urisë, nga lidershipi i selisë rozë nuk ka pasur “sforco” as për të kthyer një përgjigje zyrtare ose më e pakta për ta komentuar këtë ftesë në parim. Për një “sforco” të mundshme, për një përgjigje të mundshme, nuk e mori mundimin dje asnjëri prej dy marionetave të Edi Ramës, përkatësisht Taulant Balla e Evrin Bushati, që patën “guximin” të dilnin para gazetarëve për ca plane televizive.
Për tellallin e radhës të PS-së, meraku i Taulant Ballës dje ishte, që shtonte edhe ca më tepër dozat e spekulimeve politike në lidhje me rrugën Durrës-Kukës, kjo për shkak edhe të konkurrencës së hapur me nënkryetarin e grupit parlamentar socialist, Erion Braçe.
Ndërsa ftesa e ndaj Metës ishte e jo aq e befasishme pas kthimit të Kodit të ri Elektoral në Kuvendin e Shqipërisë nga ana e Presidentit të Republikës, po aq jo o befasishëm është dhe një reagim i ftohtë nga ana e Partisë Socialiste e cila në reagimin e saj zyrtar pas aktit të Topit bënte të qartë se ishte e gatshme që të angazhohej sërish në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, vetëm për të modifikuar vetëm ato aspekte që shmangin përplasjen kushtetuese për sa i përket afatit të dekretimit të datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.
Kjo deklaratë jo thjesht zbulon një qëndrim parimor mbi këtë çështje, por një dëshmi se selia rozë me këtë Kod të ri Zgjedhor dhe dështimin e LSI-së për të ndalur miratimin e tij në parlament, e ndien veten fitimtare në këtë betejë. Qëndrimet e përsëritura të Ramës se ai është për një “aleancë qytetarësh përtej së majtës dhe së djathtës si dhe konsolidimi zyrtar i koalicionit të ri me PSD e Gjinushit dhe PDS e Milos, largojnë edhe më perspektivën e një përgjigje pozitive ndaj kësaj ftese. Negociatat politike si rregull kërkojnë përherë lëshim territoresh, gjë që në pozitat aktuale kreu i PS-së nuk duket se do ta bëjë.
Përballë kësaj situate edhe Ervin Bushati, pa pasur asnjë lidhje me Kodin Zgjedhor, doli dje para gazetarëve për të çuditur jo pak të madh e të vogël me pretendimin e tij në formë thirrje ndaj qeverisë shqiptare për hartimin e një planit masash kundër efekteve të mundshme negative që mund të sjellë kriza ekonomike globale, ndonëse menjëherë pas miratimit të buxhetit për vitin 2009, kjo e fundit ka bërë të ditur tre rrugët që do të ndiqen për të amortizuar pasojat e padëshirueshme që mund të sjellë për ekonominë shqiptare kjo krizë.