Ankthi për postet mban ministrat në Tiranë
TIRANË - Pas një prej fundjavave me të gjata të pushimit, që mund të ketë bërë këtë verë, e shoqëruar tek-tuk me inaugurime rrugësh dhe pozime para kamerave në jug të vendit, Kryeministri Sali Berisha rikthehet sot në Tiranë, për të "rreshtuar" ministrat në detyrë në tryezën e mbledhjeve të qeverisë.
E mërkura është dita e mbledhjes së rregullt të ekzekutivit, ndaj kjo është një ndër arsyet që pjesa më kryesore e kabinetit të qëndrojë për pushime të shkurtra brenda vendit, me qëllim që në marrje të çdo telefonate nga "doktori", distanca deri në godinën e qeverisë të jetë sa më e shkurtër.
Tensioni është rritur në këtë fillim gushti mes ministrash, edhe për faktin se Berisha nuk ka konfirmuar zyrtarisht qëndrimin e njërit apo tjetrit ministër në kabinetin e ardhshëm 4-vjeçar.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Kryeministri Sali Berisha konfirmoi sërish se zyrtarisht qeveria e re do të formohet vetëm në fund të muajit gusht, dukë lënë pezull dhe në ankth thuajse të gjithë ministrat, të cilët nuk janë në gjendje qoftë edhe njëri prej tyre, që të konfirmojë faktin se do të jetë edhe një mandat tjetër katërvjeçar në qeverisje.
Ministri Financave, Ridvan Bode dhe ajo e Shëndetësisë, Anila Godo, pjesën më të madhe të kohës e kanë kaluar në zyrat e tyre.
Bode, për shkak të përgatitjeve të buxhetit, ndërsa Godo si për situatën e gripit të derrave, ashtu edhe për faktin nëse do rikonfirmohet në këtë detyrë, edhe pse republikanët me insistim po kërkojnë që të mbajnë Ministrinë e Shëndetësisë në qeverisjen e ardhshme PD-LSI.
Por, mes zyrës dhe pushimeve ditore (kryesisht në Durrës, ku distanca me Tiranën është shumë më e shkurtër) kanë qenë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ai i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i Transporteve Sokol Olldashi, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj dhe ai i Bujqësisë, Jemin Gjana. Ndërsa ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, prej disa ditësh ka qenë jashtë vendit.
Po ashtu edhe ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli. Ky i fundit është e sigurt se nuk do të jetë më pjesë e qeverisë së ardhshme Berisha, duke mbyllur kështu një periudhë mbi 10-vjeçare si ministër në qeveritë socialiste dhe ato demokrate.
Ndaj, dhe mbledhja e sotme e orës 11.00 të paradites, si edhe 2-3 mbledhjet e qeverisë në detyrë që kanë mbetur deri në fund të gushtit, do të kenë përfaqësimin më të lartë në rang ministror.
Këto janë ditët dhe orët kur të gjithë, me sa duket, duan t'i bien në sy Berishës për t'i rikonfirmuar në ekzekutivin e shtatorit, ose për t'i zhvendosur nga njëri dikaster në tjetrin.