E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha debat me Boden: Doktoratura do jetë 200 mijë lekë

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha kërkoi sot, që në vijim të qëndrimit të Qeverisë për vendosjen e taksave të ulëta edhe tarifat e vendosura për kryerjen e doktoraturës në disa fakultete në Shqipëri, të reduktohen nga 400 mijë lekë, në 200 mijë lekë.
Ai ka debatuar me ministrin e financave, Ritvan Bode për këtë kërkesë, duke u shpjeguar se shqiptarët nuk kanë para të paguajnë kaq shumë për të bërë një doktoraturë. "Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Gjeologji-Minierave, Fakulteti i Gjuhë Letërsi Shqipe dhe Frënge në Universitetin Fan Noli kanë përcaktuar tarifa shumë të larta për kryerjen e doktoraturës"- tha ai.
Sipas Berishës, nuk do të mund të pengohet asnjë njeri që dëshiron të doktorohet, për shkak të tarifës prej 400 mijë lekësh të reja. "Nga ana tjetër do të zgjerohet numri i atyre që kanë të drejtë të marrin doktoraturë, pasi ky numër është i kufizuar dhe ne nuk kemi aq shumë individë që kanë doktoraturë, pikërisht për shkak të këtyre qëndrimeve konservatore", tha ai.
Duke u shprehur kundër vendosjes së një tarife kaq të lartë për kryerjen e doktoraturës, Kreu i Qeverisë u shpreh se "tarifa kaq të larta mund ti paguajnë vetëm të pasurit dhe qeveria nuk mund të vendosë duke pasur parasysh xhepat e të pasurve".
"Nuk them se kryerja e doktoraturës të bëhet falas, por nuk jam për tarifa kaq të larta. Shqiptarët kanë pasur dy modele, një model me taksa të ulëta që e votuan dhe një model me taksa të larta që e ngujuan me humbje. Atëhere këtu vjen modeli që votuan shqiptarët me tarifat e ulëta pasi ky është standardi ynë", tha më tej Berisha.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›