E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anri Sala, fitues i çmimit “ABsolut Art Award”

Artisti shqiptar Anri Sala është nderuar nga instituti “Absolut Art Award” me çmimin me po të njëjtin emër. Nëpërmjet integrimit të formave të artit me njëra-tjetrën, Sala ka bërë për vete jurinë e institutit, të cilët e kanë vlerësuar me çmimin që ka një vlerë monetarë prej 30 mijë euro dhe që do t’i dorëzohet më 16 shtator në Stokholm. Sala ka lindur në vitin 1974 dhe i përket brezit të artistëve që dolën nga regjimi represiv komunist i vendit. Në videot e tij artisti ka ekspozuar momente të rënies së komunizmit në Europën Perëndimore. Në punët e tij të hershme Sala ka reflektuar ballafaqimin e Historisë së Europës Lindore dhe moshës post moderne. Artisti shqiptar është konsideruar si një nga rrëfyesit më interesant të kinematografisë dhe ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me videon e tij “Clash le” në vitin 2010, “Përse bërtet Luani” (2009), dhe “Trishtimi i gjatë” (2005). Në videot e tij ai manipulon idenë e gjuhës të përdorur në rrëfim, duke i bërë lidhjet midis muzikës, dritës dhe tingujve më të shëndosha, të cilat zëvendësojnë gjuhën. Anri Sala ka hapur ekspozita në mbarë botën. Pasi përfundoi Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai u vendos në Francë (1996), ku kreu studimet në Paris, Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs, e pas kësaj përfundoi studimet pasuniversitare në Le Fresnoy, Studio National des Arts Contemporains. Aktualisht jeton në Paris. Në një nga veprat e para, “Intervista- Finding the Words” (1998), Sala kthehet në Tiranë për ta konfrontuar nënën e vet me një shirit të moçëm filmi, që e tregon atë duke dhënë një intervistë si aktiviste e re e Partisë Komuniste Shqiptare. Në mungesë zëri, artisti i hyn punës së rikonstruktimit të dialogut dhe e bind një shurdhmemece që t’i ndihmojë në leximin e buzëve dhe në transkriptimin e fjalimit, të cilin nëna e tij, pas gati tridhjetë vjetëve, e ka shumë të vështirë ta besojë. Në një instalacion tjetër, “Naturalmystic 2002”, një djalosh në një studio incizimi fishkëllen butë në mikrofon, duke e ngritur dhe ulur intensitetin e zërit të tij, që t’i simulojë tingujt e predhave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›