Novara: Ujkani te Palermo? Vetëm fantazi!
Salvatore Sirigu, numri një i portës së Palermos dhe pjesë e kombëtares së Italisë, ka lënë klubin siçilian me destinacion Parisin, ku do të mbrojë kuadratin e PSG-së. Por largimi i Sirigut ka bërë që skuadra rozazi të humbasë një element me vlerë në formacionin e saj, ndaj drejtuesit e Palermos kërkojnë të kthejnë mbrapsht Samir Ujkanin, portieri titullar i Shqipërisë dhe i Novarës. Shqiptari ka bindur në sezonin e tij të fundit që zhvilloi me skuadrën piemonteze në Serinë B, dhe Palermo është gati t’i besojë çelësat e kuadratit të saj. Por kjo lëvizje e siçilianëve ka nxitur kundërpërgjigjen e Novarës, ekip që zotëron gjysmën e kartonit të vushtriasit. Mauro Pederzoli, drejtor sportiv i Novarës, ka shprehur mendimin e tij në lidhje me këtë lëvizje, duke e cilësuar si fantazi të tepruar. “Ujkani zëvendësuesi i mundshëm i Sirigus te Palermo? Për mua është fantazi merkatoje. Nuk di asgjë në lidhje me çështjen Sirigu. Janë diskutime që nuk ekzistojnë,” deklaron drejtori i Novarës, klubit që rikthehet në majën e futbollit italian pas 55 vjetësh.
Roshi, gol për Këlnin
Është një kënaqësi që një djalosh i ri shqiptar ka shansin e madh që të bëhet pjesë e Bundesligës, njërit prej kampionateve më të fortë të botës. Odise Roshi, një fierak i rritur sportivisht edhe në Vlorë, po përjeton një aventurë të bukur, e cila mund të bëhet edhe më e mrekullueshme nëse djersa që ai po derdh do të japë frytet e duhura dhe ai të jetë pjesë integrale e ekipit historik të Këlnit, një pengesë që Roshi e ka për detyrë që ta kapërcejë. Ai arriti të luajë në miqësoren që Këlni zhvilloi në stadiumin e tij ndaj Arsenalit anglez, ndonëse nuk ishte titullar në ndeshjen ndaj klubit të madh të Premier Ligës. Pak ditë më vonë, pikërisht, 20-vjeçari realizoi golin e tij të parë, në fitoren 3-1 të Këlnit ndaj kombëtares së Luksemburgut. Shqiptari i luajti të 90-minutat. Jeta në Gjermani po kalon në mënyrë intensive, me shumë stërvitje, shumë seanca teorike me trajnerin Finke, shumë vrapime dhe ushtrime specifike, por edhe jo pak volejboll plazhi, pasi gjithçka duhet që të jesh një futbollist i vërtetë. Shpesh shqiptari është në krah të idhullit lokal Lukas Podolski, ai gëzohet duke mbajtur në duar një qen të bukur të racës së vogël, ndërsa ndodh që del në fotografi me shokët e skuadrës siç bën me japonezin Tomoaki Makino. Një jetë me ritëm të lartë, nga ato që i pëlqen njeriut dhe sidomos një sportisti në moshë të re si Odise Roshi. Në një vend të ri dhe skuadër të re, në lartësi më të mëdha se më parë, duket se shqiptari i ri po ia kalon shumë mirë dhe është optimist.