E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ansambli popullor i TKOB në “Folk on tour” – Koncerte me repertor të pasur nga të gjitha trevat

Pas disa koncerteve brenda e jashtë Shqipërisë, mbrëmjen e së martës Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ndalesën e pati në qytetin e Elbasanit. Ky ishte koncerti i shtatë si kalendarit artistik “Folk on tour”.

“Është e jashtëzakonshme, sepse kudo që shkon ansambli është një pasaportë e bukur e kulturës tonë ku sigurisht vlerat e jona janë të jashtëzakonshme dhe publiku kënaqet me folklorin tonë kënaqet me vallet tona, kënaqet me artistët”, u shpreh Sokol Marsi, Drejtues i Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore.

Për repertorin e sjellë me mjeshtëri nga grupi vokal, grupi I valleve, këngëtarët e solistët e valleve është punuar me shumë kujdes. Në çdo shesh qyteti derdhen ngjyrat më të bukura të këngëve, valleve, e kostumeve nga të gjitha trevat shqiptare:

“Të emocionuar pa diskutim, shoh që ka një entuziazëm”, tha njëra nga valltaret.

“Sa herë që vijmë në Elbasan, tek Elbasani i Isuf Myzyrit, ndjejmë emocion të veçantë”, tha një valltar.

Për qytetarët e Elbasanit ky koncert ri solli nostalgjinë, trashëgimin e vyer kulturore dhe artistike. Në sheshin “Gensher” të gjitha moshat u bënë bashkë, duke u shprehur që aktivitete të tilla të bëhen sa më shpesh për të zbukuruar mbrëmjet verore.

“Shumë bukur, shumë bukur, uroj të ketë vazhdim”, u shpreh një qytetar.

“Folk on tour” do të vijojë gjatë gjithë gushtit me koncerte në Fier, Kavajë, Laç etj..

Gazetar: E. Molla

/rtsh.al/              

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›