E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansip-Topallit: Shqipëria partner serioz i NATO-s

"Estonia sheh te Shqipëria një partner serioz në NATO. Kështu ka deklaruar kryeministri i Estonisë Andrus Ansip në një takim me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Duke punuar bashkë do të jemi edhe më të suksesshëm, tha Kryeministri Ansip, duke theksuar se është i bindur se Shqipëria do të vijojë zhvillimin në mënyrë të shpejtë ashtu si është zhvilluar shumë shpejt në këto kohë.
Kryeministri i Estonisë Ansip ka vlerësuar gjithashtu progresin e Shqipërisë në këto vite duke theksuar se është një mrekulli ajo që ka ndodhur në këto vite në vendin tonë.
Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit Topalli theksoi se vizita e Kryeministrit Ansip është një hap domethënës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme që Estonia i ka dhënë Shqipërisë në proçeset e saj integruese euroatlantike dhe europiane është shumë e çmuar.
"Estonia, si një nga shtetet anëtare të BE-së, e cila ka vuajtur nga izolimi është më pranë shqiptarëve lidhur me ëndrrën për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen, si dhe në drejtim të anëtarësimit në BE" theksoi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria i ka përmbushur tashmë detyrimet dhe do të vlerësonte maksimalisht mbështetjen e Estonisë, lidhur me heqjen e vizave dhe më tej, në drejtim të marrjes së statusit kandidat.
Nga ana e tij Kryeministri i Estonisë tha se partneriteti mes dy vendeve ka qenë shumë i frytshëm duke shtuar se dy vendet tona, më shumë se partnerë janë miq të mirë.
Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i Estonisë diskutuan mbi rolin e diplomacisë parlamentare si një dimension funksional në dialogun dypalësh, me një ndikim pozitiv në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe ndërkombëtar.
Në takim u bisedua edhe mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe Kryeministri i Estonisë tha se shpreson që sa më shumë sipërmarrje estoneze të jenë prezent me investimet e tyre në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›