Anti-krimi, Berisha: Firmosje çdo marrëveshjeje me BE-në
Presidenca spanjolle e Spanjës vlerëson ecurinë dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj të integrimit evropian, duke siguruar gjatë presidencës së saj mbështetjen e plotë Shqipërisë në këtë proces
Presidenca spanjolle e Spanjës vlerëson ecurinë dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj të integrimit evropian, duke siguruar gjatë presidencës së saj mbështetjen e plotë Shqipërisë në këtë proces. Kryeministri Sali Berisha prit dje Prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, z. Candito Conde-Pumpido Touron dhe delegacionin që e shoqëronte. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, z. Manuel Montobbio. Z. Touron shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë me Shqipërinë në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e Spanjës dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton, që të dyja vendet të luftojnë bashkërisht kundër krimit të organizuar. Kryeministri Berisha duke folur për reformat e ndërmarra dhe suksesin e arritur, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, theksoi se kjo luftë është dhe do të mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, duke u bërë pjesë e të gjitha reformave të ndërmarra në vend. Kryeministri Berisha vlerësoi se prokuroria shqiptare ka treguar progres në vitet e fundit dhe ka dëshmuar vendosmëri në zbatimin e ligjit. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se funksionimi i Task-Forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, të drejtuar nga prokuroria, është një strukturë mjaft e rëndësishme në këtë luftë dhe ka arritur suksese të dukshme në këtë drejtim. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajmë çdo marrëveshje me vendet anëtare të BE-së që forcon luftën kundër krimit të organizuar, atij ekonomik dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha i shprehu gjithashtu ambasadorit Montobbio falënderimet për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shfrytëzoi këtë takim për ti përcjellë Kryeministrit Zapatero ftesën për të vizituar Shqipërinë. Po dje, Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, z.Candito Conde-Pumpido Touron u prit edhe nga Presidenti Bamir Topi, i cili vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në rrugën e realizimit të reformave integruese të vendit në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet e vazhdueshme për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të këtyre reformave të rëndësishme, sidomos asaj në sistemin e drejtësisë. Në këtë kontekst, Presidenti theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e një rëndësie të veçantë dhe shikohet nga shteti shqiptar si një përparësi, ndërkohë që në këtë drejtim ka pasur mbështetjen e duhur dhe asistencën e vazhdueshme të ekspertëve ndërkombëtarë.