Prokurimet publike, taksë kush ankohet
Qeveria vendosi dje të vendosë tarifa dhe rregulla të qarta për sa u përket ankesave përgjatë prokurimeve publike. Sipas Berishës, kjo masë është marrë si pasojë e problemeve që janë hapur gjatë procedurave për tenderët publikë. “Sado që qeveria lufton për të bërë transparencën, për fat të keq, ka disa kompani të specializuara dhe jo për të kryer punët publike, por për të futur stërkëmbës në procesin e shqyrtimit të tenderëve. Imagjinoni që është arritur të ankohen edhe për veten e tyre”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo është bërë për shkak se është kuptuar se tenderi nuk do të dështonte. “Siç të verbon lakmia, nuk të verbon asgjë tjetër. Ndaj edhe vendimi përcakton disa rregulla dhe tarifa që të mos mund të padisësh veten tënde”, ironizoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, rastet unike e kanë shtyrë qeverinë të ndërmarrë masa të tilla, në mënyrë që tenderimet publike të mos dështojnë dhe të ecin sipas afateve të mirëpërcaktuara.
#