Topi: Tryeza nuk dështoi, ktheu PS-në në Kuvend
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerëson si jo të dështuar tryezën politike në Presidencë për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar pas bojkotit prej 6 muajsh të opozitës.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerëson si jo të dështuar tryezën politike në Presidencë për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar pas bojkotit prej 6 muajsh të opozitës. Në një intervistë dhënë gazetarit Ilir Babaramo, kreu i shtetit tha se pas tryezës së kërkuar nga Këshilli i Evropës, PS u kthye në Kuvend, duke vendosur atje dialogun. Unë mendoj se fakti që bisedimet kanë shkuar në Parlament, fakti që Partia Socialiste është rikthyer në Parlament, fillimisht për të kryer betimin, së dyti për tu futur në bisedime konkrete në një komision të posaçëm, ku po diskutohet pikërisht për atë çështje që e ka mbajtur Partinë Socialiste jashtë Kuvendit, besoj që është një element, i cili duhet inkurajuar për të vazhduar atje. Nuk besoj që është momenti për të bërë parashikime se si do të shkojë. Unë jam i prirur të besoj që arritja e frymës së konsensusit për të riinstaluar dialogun është pararendës i një klime për të vazhduar e për të bashkëpunuar, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, - tha Topi. Kreu i Shtetit nuk preferoi të flasë mbi propozimet konkrete të biseduara në tryezë, duke argumentuar se kjo çështje i takon partive politike dhe jo rolit të tij si President. Kreu i shtetit gjatë kësaj intervistë foli edhe për emërimet në sistemin e drejtësisë, ku pritet dekreti për 9 anëtarë për Gjykatën Kushtetuese, si dhe për Gjykatën e Lartë. Megjithëse 2 prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë u ka mbaruar prej 4 muajsh mandati, Topi tha se pret të dekretojë emrat në një moment kur në Kuvend të jenë të gjithë faktorët politikë. Ai shtoi se gjatë kësaj kohe po konsultohet me ekspertë të pavarur mbi gjetjen e emrave të përshtatshëm. Kam shpresuar që ata që do të dërgojmë, të jenë në një vendimmarrje të gjerë parlamentare, por ju siguroj që ata që kanë kaluar në afat, jam i detyruar që mbas një periudhe të gjatë pritjeje, jam i detyruar ti dërgoj, ndërsa për pjesën tjetër unë uroj që të ketë një pjesëmarrje të gjerë parlamentare, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, për institucione kaq të rëndësishme, ku politika në mjaft raste është e detyruar që të orientohet, ta ketë si pikë referimi sistemin e drejtësisë, - tha Topi. Në lidhje me ligjin e ri për SHISH, kreu i shtetit tha se do të flasë në momentin e duhur, me anë të dekretit.