Antidroga, mbyllet operacioni i nisur në janar
Dy ditë më parë u arrestua Meliha Gjuzi, 46 vjeçe, e dyshuar si pjesë e grupit të arrestuar. Hetimet në Shqipëri Gjermani e Kosovë
Policia ka arrestuar 11 persona për këtë hetim të dyshuar si pjesë e rrjetit, ndërsa ka bllokuar 2. kg heroinë
TIRANË- Një operacion antidrogë i Policisë së Tiranës dhe autoriteteve policore gjermane nisur që gjashtë muaj më parë dhe i shtrirë në tre shtete përfundoi dje me arrestimin personit të fundit të një grupi prej 12 personash.
Që nga muaji shkurt i këtij viti dhe deri ditën e djeshme në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar "Triss" janë arrestuar 11 persona, midis tyre tre vëllezër dhe një grua Meliha Gjuzi, 46 vjeçe, nga Tirana është e akuzuara e fundit e arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi gjykata e Tiranës, kishte vendosur më parë ndaj saj masën e sigurisë "arrest me burg".
Rezultatet operacionit antidrogë u bënë të ditur dje nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili foli edhe për rezultatet e luftës kundër drogës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Sipas policisë, operacioni është zhvilluar në tre shtete, Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë dhe arrestimet e para kanë nisur në muajin mars të këtij viti. Arif Zelo, 53 vjeç, dhe Ermir Dalipaj, 32 vjeç, të dy nga qyteti i Lushnjes, u arrestuan në fillim të marsit të këtij viti, ku gjatë ndalimit të tyre u bllokuan dhe pesë armë të ndryshme dhe sasi municioni. Më pas operacioni "Tirss", ka vazhduar dhe pas një javë janë arrestuar tre vëllezër me banim në Farkë.
Artan dhe Alfred Qefalia, të dy të moshës 26 vjeç, si dhe vëllai tjetër i tyre, Kujtim Qefalia, 37 vjeç, të cilët banonin në një banesë private në komunën e Farkës, janë arrestuar më 10 mars 2010 dhe në shtëpinë e tyre policia sekuestroi rreth 2.8 kilogramë heroinë.
Droga u sekuestrua në banesën e vëllezërve Qefalia, pas një kontrolli rutinë. Ata u ndaluan fillimisht ditën e arrestimit për një konflikt të ndodhur në Farkë midis vëllezërve dhe disa personave të tjerë. Vëllezërit u ndaluan si autorë të plagosjes së dy bashkëmoshatarëve të tyre, por gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre policia gjeti dhe bllokoi heroinën.
Më pas operacioni antidrogë i Policisë së Tiranës, autoriteteve policore gjermane ka vazhduar me arrestimin edhe të gjashtë personave të tjerë. Dhimitër Rapi, 54 vjeç, nga Tirana, Ilia Bregu, 33 vjeç, nga Leskoviku, Gëzim Hasan Docaj, 30 vjeç nga Tirana, Leonard Brunga, 33 vjeç, Ilian Zeka, 25 vjeç dhe Faruk Istrefi, 26 vjeç të dy nga Kosova dhe me nënshtetësi gjermane janë të arrestuarit e fundit të operacionit antidrogë. Policia konfirmoi dje se të arrestuarit e fundit janë persona me precedentë penale, të ndaluar edhe në Gjermani për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Sipas policisë, grupi që dyshohet se merrej me trafikun e lëndëve narkotike drejtohej nga Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi. Këta të fundit akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje të armëve luftarake si dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit e operacionit "Triss"
Meliha Gjuzi, 46 vjeçe
Arif Zelo, 53 vjeç
Ermir Dalipaj, 32 vjeç
Alfred Qefalia, 27 vjeç
Artan Qefalia, 27 vjeç
Kujtim Qefalia, 36 vjeç
Dhimitri Rapi, 54 vjeç
Ilia Bregu,33 vjeç
Gëzim Hasandocaj, 30 vjeç
Leonard Brunga, 38 vjeç
Iljan Zeka, 25 vjeç
Faruk Istrefi, 26 vjeç
Sekuestruar:
2.8 kilogramë heroinë
Pesë armë të llojeve të ndryshme