Patozi-Ruçi, sqarime lidershipit për takimin

Pas negociatave, palët i kanë lënë kohë njëra-tjetrës që të diskutojnë me lidershipin përkatës për zhvillimin e negociatave
Nuk ka datë për raundin tjetër të bisedimeve. Partitë s'përjashtojnë takimin së bashku me ekspertët përkatës
TIRANË - Pas negociatave të zhvilluara përreth dy orë, socialistët dhe demokratët i kanë lënë kohë njëra-tjetrës që të diskutojnë me lidershipin përkatës mbi atë që u arrit në këtë takim.
Burime nga të dyja partitë bëjnë të ditur se ende nuk ka një datë, në të cilën do të zhvillohet një takim tjetër midis negociuesve. Por, gjithashtu nuk përjashtohet fakti që në negociatat e radhës të jenë të pranishëm edhe ekspertët përkatës të partive politike.
Në takimin që zgjati përreth dy orë, palët, ashtu siç është mësuar edhe nga deklaratat zyrtare, janë ndarë në çështjen e fletëve të kutive. Për këtë pikë do të ketë takime të tjera që do të përcaktojnë modalitet për zgjidhjen e kësaj çështje.
Paraditen e djeshme, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku mediat ishin në pritje të fillimit të negociatave zyrtare midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, përfaqësuesit politik të këtyre dy partive mbërritën disa minuta përpara orës 11:00, kur edhe ishte parashikuar të hapeshin bisedimet.
Fillimisht, në orën 10:20, ishte kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili ishte i shoqëruar nga sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, që mbërriti në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Më pas, dhjetë minuta më vonë, në Kryesinë e Kuvendit ishte kreu i grupit të PD, Astrit Patozi, i cili hyri në ambientet e godinës ku ishte parashikuar edhe takimi.
Pak më vonë, në orën e cila ishte përcaktuar për të nisur negociatat, të dy krerët e grupeve parlamentare u takuan në ambientin që njihet si "Dhoma e pritjes". Pas këtyre formaliteteve, në të njëjtin ambient, përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend vijuan diskutimet për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Ashtu siç është bërë e ditur publikisht nga vetë dy aktorët e negociatave, por edhe siç është mësuar nga burime pranë dy partive politike, temë kryesore e diskutime ishte modaliteti që do të ndiqet për kutitë e votimit në funksion të hetimit të zgjedhjeve.
Por, kjo pikë ka ndarë sërish të dyja palët. Partia Socialiste ka këmbëngulur në kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit, ndërsa Partia Demokratike është shprehur se duhet të zbatohet Kodi Zgjedhor.
Por, pas disa minutash bisedime, PD ka shprehur në takim propozimin e saj për çështjen që fletët të çohen në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit t'i drejtohet Komisionit të Venecias dhe se më pas do të respektohej vendimi që do të jepej nga gjykata. Hetimi përmes fletëve të votimit do të vijohet të diskutohet edhe në takimet në vazhdim, pasi negociuesit janë shprehur pro vazhdimit të negociatave.
Në këtë mënyrë, negociatat do të vijojnë, ku s'përjashtohet mundësia që palët të ulen së bashku me ekspertët përkatës.
Pasi palët zhvilluan rreth dy orë bisedime, ata vendosën që të informonin mediat për arritjet në këto diskutime.
Dhjetë minuta më vonë, në sallën e konferencave në Kryesinë e Kuvendit, u paraqit kryetari i grupit të PS, Gramoz Ruçi, i cili deklaroi katër gjërat për të cilat u ra dakord në këtë takim. Pak minuta pas tij, të njëjtën gjë bëri edhe kreu i grupit të PD, Astrit Patozi, i cili, përveç arritjes, vuri edhe njëherë theksin në ngërçin që ka midis dy palëve për çështjen e fletëve të votimit. Ndërkohë, mësohet se të dy përfaqësuesit politikë do të bisedojnë mbi gjithçka që është zhvilluar në negociata me lidershipin e partisë së tyre.
Po kështu, për sa i përket çështjes së materialeve zgjedhore palët do të formulojnë një paketë propozimesh që do të bënte të mundur arritjen e një marrëveshje të pranueshme për partitë politike. Presioni politik që po bëhet nga ndërkombëtarët do të bëjë që të dyja partitë politike të angazhohen së shpejti për një takim të dytë.
NEGOCIATAT MINUTË PAS MINUTE
10:20 Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, mbërrijnë në Kryesinë e Kuvendit.
10:30 Pak minuta më vonë, në Kryesinë e Kuvendi, mbërriti kryetari i grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi.
11:00 Takohen zyrtarisht dy negociatorët në ambientin që njihet si "Dhoma e pritjes" në Kryesinë e Kuvendi, duke bërë të mundur në këtë mënyrë nisjen e negociatave midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
12:40 Përfundon pas rreth dy orësh takimi midis kryetarit të Grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe kreu të grupit të PD, Astrit Patozi.
12:50 Nga salla e konferencave në Kryesinë e Kuvendit, në një komunikim për mediat del kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi.
13:00 Kryetari i Grupit të PS përfundon takimin me median.
13:05 Nga salla e konferencave në Kryesinë e Kuvendit, kreu i grupit të PD, Astrit Patozi, del në një komunikim për mediat.
13:13 Mbaron konferenca e zyrtarit të lartë demokrat.
13:30 Negociatorët largohen nga Kryesia e Kuvendit.