GJKKO e Apelit vendos me 25 qershor për Belerin

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur të japë vendimin për kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, më 25 qershor, ora 13:00.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, fillimisht pati diskutime mes mbrojtëses ligjore të Alfred Belerit, avokates Klodiana Gjyzari, dhe gjyqtares Daniela Shirka. Avokatja Gjyzari kërkoi përjashtimin e trupës gjyqësore, por kjo kërkesë e palës mbrojtëse u rrëzua nga togat e zeza.
Më tej, prokurori Adnan Xholi kërkoi nga togat e zeza lënien në fuqi të vendimit të marrë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila e dënoi Belerin me 2 vite heqje lirie, i shpallur fajtor për “Korrupsion Zgjedhor”, dhe 4 vite shërbim prove për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi. Vendim i marrë më 5 mars 2024.
Në anën tjetër, avokatja e Belerit, si dhe mbrojtësi ligjor i Pandeli Kokaveshit, kërkuan shpalljen e të pandehurve të pafajshëm. Vendim i marrë me 5 mars. Trupa gjyqësore vendosi që vendimin për çështjen Beleri ta komunikojë më 25 qershor, ora 13:00.
/a.f/r.e/