E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikuarët, hartat, dorëshkrimet dhe periodikë, të hapura për çdo përdorues

Hapet “Portali albanologjik”, këndi i antikuarëve, dorëshkrimeve dhe periodikëve, njw projekt i Bibliotekës Kombwëtare tw Shqipërisë dhe asaj të Kosovës

Antikuarët, hartat, dorëshkrimet dhe periodikë, të hapura për çdo përdorues

Antikuarë, harta, dorëshkrime, periodikë, studime albanologjike etj., çdo gjë që përbën trashëgiminë e kulturës së shkruar mbarëshqiptare është pjesë e rrjetit europian dhe botëror të informacionit, e tashmë ofrohet online përmes Portalit Albanologjik Shqipëri-Kosovë. Ky projekt i iniciuar nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët mes dy Bibliotekave Kombëtare në 5 mars të këtij viti, u inaugurua dje në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Si mision parësor ka integrimin e informacionit mbi trashëgiminë e kulturës së shkruar mbarëshqiptare, promovimin e saj, ofrimin dhe lehtësimin e qasjes online përmes një rrjeti global të komunikimit, ngritur në baza të dhënash që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari e cilësoi këtë projekt shumë të rëndësishëm, i cili do të jetë në shërbim të të gjithëve, si një dritare e hapur për hapësirat mbarëshqiptare. “Qëllimi i këtij portali është mundësimi i aksesit të përdoruesve në bazat respektive të të dhënave të këtyre dy institucioneve të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare; kjo do të realizohet përmes shkëmbimit reciprok të informacionit bibliografik të karakterit albanologjik, si dhe të materialeve bibliotekare; libra të rrallë, revista, dorëshkrime etj.”- tha Plasari. Sipas drejtorit të Bibliotekës së Kosovës, Sali Bashota, portali i përbashkët Shqipëri-Kosovë do të ofrojë qasje në burime bibliografike si edhe në burime të karakterit albanologjik. Portali albanologjik është shërbim pa pagesë, që ofron informacion të larmishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku vend të veçantë zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e dixhitalizuara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Nëpërmjet tij mundësohet kërkimi dhe qasja në vlerat e rralla të trashëgimisë kombëtare në çdo kohë, nga kudo dhe nga kushdo. Website-i ofron shërbime si: të dhëna rreth historikut të krijimit të portalit; informacion për botime albanologjike, albanologë, hyrje të reja (libra, artikuj, periodikë) në të dyja bibliotekat gjegjëse; qasje në burime të kombinuara dixhitale dhe jodixhitale, burime bibliografike etj. Në ceremoninë e inaugurimit përveç dy drejtorëve respektive, Aurel Plasari dhe Sali Bashota ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi.

E-Albanica, biblioteka dixhitale e shqiptarëve

E-Albanica do të përfaqësojë Bibliotekën Dixhitale Albanologjike. Ajo do të përmbajë vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera. Nga librat e fondit të antikuarit për këtë portal janë përzgjedhur tre, të cilët janë sjellë për të interesuarit në versionin dixhital: Shënime Biografike për Ali Pashën bazuar në dokumente autentike që i përkasin vitit 1922. Në kopertinë është një foto e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa në faqen e parë një poezi nga Lord Bajroni. Një tjetër antikuar që ka pasuruar portalin albanologjik është dhe Studimi për gramatikën e gjuhës shqipe, shkruar nga Gustav Mayer që daton më 1888, ku në faqet e fundit është dhe fjalori. Një tjetër portë e rëndësishme që të ofrohet online është edhe këndi i albanologëve, ku janë rreshtuar të gjithë albanologët e huaj, të cilët një pjesë të veprimtarisë së tyre shkencore e kanë lidhur me Shqipërinë. Në këndin e botimeve gjithashtu ofrohet online Bibliografia e Librit Shqip 1555-1912 dhe Albanica, me autorë të huaj dhe shqiptarë. Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›