E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni Artificial, të kthehet në Park Rajonal

Liqeni Artificial i Tiranës pritet të marrë statusin e Parkut Kombëtar Rajonal. Kërkesa e bërë nga Bashkia e Tiranës dhe shoqatat mjedisore, që shoqërohet edhe me një projekt të posaçëm, është shqyrtuar dje në komisionin kuvendor të Veprimtarive Prodhuese. Projekti synon identifikimin e problemeve të degradimit mjedisor dhe rekomandimin e masave emergjente dhe afatgjata për mbrojtjen, rehabilitimin e Liqenit Artificial, përmirësimin e statusit ligjor dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje. Projekti nuk e kaloi fazën e votimit, pasi deputetët e mazhorancës dhe opozitës ranë dakord që në seancën e ardhshme të ishin prezent përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, për të diskutuar një projekt që është i gatshëm. Deputetët e opozitës ishin pro statusit ligjor si Park Kombëtar Rajonal për Liqenin Artificial, por për ta kjo është e pamjaftueshme për të zgjidhur të gjithë problematikën ekzistuese atje, një nga të cilat është ajo e ndërtimeve pa leje etj. Sipas tyre, rehabilitimi i parkut nuk mund të nisë pa u ndalur degradimi. “Qeveria nuk mund të vijë në vitin e tetë dhe të thotë që të ndërhyjmë. Çdo institucion të marrë masa. Buxheti i shtetit nuk parashikon asnjë qindarkë për parkun. Shteti duhet të marrë masa konkrete. Sali Berisha ka dhënë leje për të ndërtuar edhe te diga. Përveç statusit duhet një faturë financiare dhe projekt konkret dhe i qartë”, - u shpreh deputeti socialist Blendi Klosi. Pavarësisht kësaj, numri 2 i bashkisë, Edmond Panariti, deklaroi se çështja e statusit të Parkut të Liqenit do të kalojë në janar në Këshillin Bashkiak dhe më pas në Këshillin e Qarkut. Parku i Liqenit ka pasur një sipërfaqe prej 289 hektarësh, por me ndryshimin e vijës së verdhë në vitin 2004 sipërfaqja e tij u reduktua.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›