E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali në RTSH: Të ftuar specialë dy këngëtarë të muzikës dance

Festivali i 50-të i Këngës në RTSH tashmë që ka vënë në rrugë të mbarë gjithçka që nevojitet për një festival të muzikës së mirë dhe interpretimin 100% live, ka hyrë në ethet e të ftuarve specialë që do të jenë në netët e tij. Spektakli, ashtu si çdo vit nuk do të mungojë as në këtë jubile, vetëm se në këtë rast ai do të marrë më shumë ngjyra. Ndërkohë që organizatorët janë ende në tentativa për të ftuar në natën finale një emër të njohur të muzikës europiane, dje janë konfirmuar dy të ftuarit specialë të natës së parë dhe të dytë. Siç dhe konfirmon zyra e shtypit e këtij Festivali, më datë 26 dhjetor (pra në natën e parë të Festivalit) në skenën shqiptare do të ngjitet për herë të parë këngëtari i njohur afrikan i muzikës dance (ndoshta më shumë i adhuruar nga frekuentuesit e jetës së natës), xhamajkani Eddy Wata, i cili u bë i njohur në Europë në vitin 2001 me këngët e tij “In your mind”, “I love my people”, “I wanna dance” etj, por sidomos me hitin e tij më të fundit “Señorita”. Një tjetër e ftuar e veçantë do të ngjitet për herë të parë në skenën e festivalit shqiptar, ajo është britanikja Katherinë Ellis, e cila ka bashkëpunuar me zëra të njohur të muzikës, që nga Boy George e Roger Sanchez deri tek Belinda Carlisle, Chaka Khan. Ajo është gjithashtu edhe kompozitore, ku disa prej këngëve mbajnë firmën e saj. Ndërkohë që mbetet surprizë e ftuara e natës së fundit, që gjithsesi organizatorët premtojnë se është një emër i madh i muzikës europiane sidomos në vitet e fundit, duke lënë mister emrin e saj.

Një skenë plot drita

Në sallën e provave të RTSH-së, konkurrentët vazhdojnë si çdo ditë provat, por kësaj radhe ata u ngjitën në skenën që tashmë po i jepet dora e fundit nga skenografi Bashkim Zahaj. Një skenë moderne, që qaset më së shumti në lojën e dritave, si për t’i dhënë një shkëlqim të veçantë ngjyrash këtij jubileu. Por vëmendja më e madhe në këtë 50-vjetor të këngës shqiptare i është kushtuar teknikës që do të ndihmojë në interpretimin 100% live si nga këngëtari, por edhe orkestra e banda muzikore. Siç na siguroi dhe vetë udhëheqësi artistik, Shpëtim Saraçi, këtë vit nuk do të ketë baza orkestrale të regjistruara dhe instrumentistë që bëjnë sikur luajnë, por gjithçka do të luhet mbi skenë përballë spektatorit. Po kaq të drejtpërdrejtë do të jenë dhe tre prezantuesit: aktori Kreshnik Xhelilaj, një ish-Miss që nuk preferon më të etiketohet e tillë si Hygerta Sako, dhe gazetarja sportive, Enkeleda Zeko. Një treshe mjaft interesante e përzgjedhur për këtë edicion të 50-të të Festivalit në RTSH. A.Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›