E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia, avokatët: Do ankimojmë ligjin në Kushtetuese

Shoqata e avokatëve kundër ligjit antimafia: Është antikushtetues, do sekuestrojë pasuritë siç bëri sistemi komunist


TIRANË- Ligji i ri "antimafia" i miratuar së fundmi në Kuvend, edhe pse ka hasur kundërshtimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, rrezikon që të mos hyjë në fuqi.


Kjo sepse juristët do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligj abuzues. Sipas juristëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të avokatëve në vend, ky është një veprim i nxituar i mazhorancës.


Pas shumë kundërshtimeve të ndryshme që tashmë janë publikuar në media të ndryshme, pasditen e djeshme ka reaguar edhe Kryetari i Forumit për Drejtësi të Shqipërisë avokat Idajet Beqiri, i cili konfirmoi për "Shekullin" se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë.


"Miratimi i këtij ligji, përveç se ka shqetësuar qytetarë të ndryshëm në vend, është bërë edhe një shqetësim i madh mes komunitetit të avokatëve shqiptare. Shqetësim ky, që ka sjellë disa takime dhe debate në forumet tona, ku është vendosur përfundimisht t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur këtë ligj anti-kushtetues"-tha avokat Beqiri mbrëmë.


Sipas tij, ky ligj cenon të drejtat e çdo qytetari dhe individi të ndershëm në këtë vend, duke i lënë shteg për abuzim institucioneve ligj-zbatuese. "Ky ligj deformon parimet bazë të së drejtës. Pasi bie ndesh me parimin Kushtetues në fushën e së drejtës së parimit mbi prezumimin e pafajësisë. Çdo shtetas shqiptar konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, thuhet në Kushtetutë.


Ndërsa, me këtë ligj është e kundërta. Çdo shtetas shqiptar cilësohet si fajtor edhe pa një vendim gjykate, thjesht me dyshime apo indicie. Nga Presidenti i Republikës e deri te fermeri në një fshat të thellë në veri, me këtë ligj quhen fajtorë për çdo pasuri që ata nuk mund ta justifikojnë para organeve kompetente",- sqaroi avokat Beqiri me cilësinë e kryetarit të Forumit për Drejtësi të Shqipërisë.


Sipas tij, "kur dy persona me një rrogë të njëjtë, por, me standard jetese të ndryshëm, njëri konsumon ushqim në restorant dhe tjetri ushqehet me kos për të kursyer rrogën e tij, ky i fundit pritet të bëhet objekt i këtij ligji, duke ia sekuestruar paratë e kursyera"-sqaron avokati Beqiri.


Gjithashtu, në fund të fjalës së tij kryetari i kësaj organizate bëri një paralele të këtij ligji me ligjin e dalë menjëherë pas luftës në Shqipëri ku komunistët i konfiskonin pasurinë tregtarëve dhe bejlerëve të asaj kohe. "Ky ligj është non sens në çdo pikëpamje, pasi na kthen në kohën e periudhës së inkuizicionit komunist",-tha avokat Beqiri në fjalën e tij.


Për miratimin e këtij ligji ka reaguar dje edhe avokati penalist, Dylber Mane duke shprehur mendimet e tija kundërshtuese. Ai e ka cilësuar indirekt si një ligj që do përdoret nga pushteti sipas interesave.


"Ky ligj është i barabartë me ligjin e kohës së komunizmit, kur iu konfiskuan pasuritë tregtarëve dhe bejlerëve të ndryshëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ky ligj është bërë për të goditur kundërshtarët e tij politik, mazhoranca aktuale"-tha avokat Mane, duke e cilësuar si anti-kushtetuese.


Gjithashtu, ky ligj para miratimit të tij është kundërshtuar edhe nga aktorë të ndryshëm të Prokurorisë shqiptare, duke e cilësuar si një ligj arbitrar ndaj të drejtave të njeriut.


Edhe grupet e biznesit pak ditë më parë janë shprehur të alarmuara në lidhje me efektet reale që do të sjellë zbatimi i ligjit "anti-mafia". Miratimi i tij në Kuvend, konsiderohet si një masë drastike dhe e panevojshme për kushtet e Shqipërisë duke krijuar një klimë presioni mbi biznesin por edhe tek individët.


"Më shumë se pasojat negative në ecurinë e bizneseve, aplikimi i një ligji të tillë, rrezikon të ardhurat e mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët në shumicën e rasteve pa dëshirën e tyre punojnë në rrugë informale duke mos mundur të deklarojnë të ardhura"- është shprehur pak ditë më parë kreu i Konfindustrias Shqiptare Gjergj Buxhuku.


Gjithashtu, ligji "anti-mafia" është cilësuar i tepruar dhe i panevojshëm për situatën që ndodhet biznesi në vend edhe nga zëvendës drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija pak ditë më parë në një komunikim me median.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›