Topi nderon 37 intelektualët e masakrës komuniste
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin "Nderi i Kombit" 37 -të intelektualët e Tiranës të vrarë nga diktatura komuniste 28 tetor - 16 nëntor 1944. Ky nderimi i lartë nga Kryetari i Shtetit përkon me 65-së vjetorin e masakrës së terrorit komunist në Tiranë, i cili i mori jetën këtyre personave mendjendritur e të pafajshëm.
Me këtë rast në Presidencë u organizua një ceremoni solemne. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit u dorëzoi Urdhrin dhe dekretin e dekorimit familjarëve të intelektualëve.
Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944 me motivacionin: "Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës së II Botërore".
Zoti Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj Kreut të shtetit shqiptar për nderin e lartë duke theksuar: "Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë. Njëkohësisht falënderojmë shoqatën me Azem Allçin, Besim Ndregjonin dhe Drejtorin e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturave, zotin Kati që na ka dhënë ndihmesën për këtë punë.
Intelektualët e nderuar sot:
Akil Sakiqi
Nazmi Uruçi
Fahri Dabulla
Mumtaz Kokalari
Vesim Kokalari
Ismail Petrela
Muharrem Lleshi
Muharrem Liku
Abdulla Saraçi
Jorgji Mema
Nebil Çika
Hamid Greblleshi
Subi Topulli
Kapllan Deliallisi
Jakup Deliallisi
Shefqet Deliallisi
Anton Fekeçi
Isuf Allamani
Boris Belevski
Minella Toçi
Selim Kelmendi
Selaudin Korça
Lluka Xhumari
Ali Panariti
Rakip Kalenja
Hasan Dine
Azis Blloshmi
Faik Shkupi
Mehmet Dada
Rifat Tërshana
Aleks Mavraqi
Selman Shtjefni
Petraq Pekmezi
Ndue Pali
Syrja Kokalari
Bajram Cuka
Lorenc Rasha