Antologjia poetike shqiptare në rumanisht

Përkthyesi dhe shkrimtari rumun, Marius Dobrescu, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, falë botimeve të panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare.
Kësaj radhe lexuesit rumun i sjell një antologji të poezisë moderne shqipe: “Misteri i Lutjeve”. Disa nga poetët shqiptarë të përfshirë në këtë vepër janë: Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Besim Bokshi, Bislim Ahmetaj, Agim Vinca, Gjek Marinaj, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Ismail Kadare, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Natasha Lako, Petrit Ruka, Radije Hoxha, Resul Shabani, Skënder Rusi, Skënder Sherifi, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, etj.
Ndryshe, parathënien e antologjisë poetike shqiptare e ka shkruar studiuesi shqiptar, Luan Topçiu.
Marius Dobrescu u lind në Braila, në vitin 1951. Ka mbaruar studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Tiranës. Punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë, e pastaj iu përkushtua gazetarisë.
Sot Dobrescu drejton revistën “Prietenul albanezului” (Miku i Shqiptarit) që botohet në Bukuresht. Është autor i shumë librave dedikuar Shqipërisë.