E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja bëhet me tre muze

Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM) ka mirëpritur vendimin për nisjen e ndërtimit të tre muzeve - pa simbole fetare - në Kalanë e Shkupit. Dy nga këta muze do të ndërlidhen drejtpërsëdrejti me trashëgiminë kulturore, historike e shpirtërore të shqiptarëve. Paralelisht, komuna Qendër, e Shkupit, ka njoftuar se në kryeqytetin maqedonas së shpejti do të vendosen përmendoret e dy personaliteteve historike shqiptare, Nexhat Agollit dhe Josif Bagerit.

Lidhur me këtë vendim me një shkresë ka reaguar SHHSHM.

“Vlerësojmë se me këtë vendim ngadhënjeu arsyeja e shëndoshë dhe drejtësia. Më në fund edhe pseudoshkencëtarët maqedonas u bindën para fakteve të pamohueshme - të cilat në vazhdimësi i prezantoi Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë – për një të kaluar historike të Shkupit iliro-shqiptar.

Përmes këtij akti, edhe Pasko Kuzman e pranoi realitetin se në Kalanë e Shkupit ekzistojnë themelet e shtëpive dardane-pajone. Kështu, pra, u vërtetua lufta e drejtë dhe me fakte e historianëve shqiptarë dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni. Fakti që këto muze nuk do të kenë simbole fetare dëshmon gjunjëzimin e ideve të Kuzmanit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, për ngritjen e kryqit të Kishës Ortodokse Maqedonase mbi Kalanë e Shkupit”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e SHHSHM.

Shoqata e Historianëve Shqiptar po ashtu thekson se i përshëndetë përpjekjet e kryetarit të komunës Çair, Izet Mexhitit, i cili në vazhdimësi ka këmbëngulur që të ruhet trashëgimia kulturore iliro-shqiptare e Kalasë së Shkupit nga tendencat qëllimkëqija të falsifikimit nga ana e qarqeve të caktuara maqedonase.

Ndryshe, n bazë të marrëveshjes së arritur, në Kalanë e Shkupit do të ndërtohet Muzeu i Periudhës Parahistorike (mbi mbetjet e një shtëpie dardano-pajone), Muzeu i Periudhës Mesjetare (mbi bazën e themeleve të kishës bizantine), dhe Muzeu i Periudhës Osmane (mbi bazën e themeleve të një kulle osmane).

Dy përmendore kushtuar shqiptarëve

Sipas një njoftimi të Komunës Qendër, deri në fund të këtij viti në pjesën qendrore të Shkupit do të vendosen edhe dy përmendore, kushtuar personaliteteve historike shqiptare, Nexhat Agollit dhe Josif Bagerit. Përmendoret janë pjesë projektit të shumëpërfolur Shkupi 2014.

Punimi dhe shkëlqimi i këtyre dy përmendoreve (dhe i tri monumenteve më të vogla kushtuar disa personaliteteve maqedonase) do të bëhet nga një kompani italiane, e cila për këto shërbime do të përfitojnë rreth 300,000 euro.

Përmendorja e ministrit të parë shqiptar të pas-luftës së Dytë Botërore – që ishte helmuar nga OZNA jugosllave- Nexhat Agollit, do të vendoset në sheshin qendror të Shkupit, afër përmendores së Goce Delcev; përderisa ajo e Josif Bagerit do të vendoset afër Teatrit të Vjetër të Shkupit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›