Antonio Guterres prezanton planin me 5 pika për energjinë e rinovueshme

Gjatë prezantimit të raportit të Organizatës Botërore Meteorologjike për Gjendjen e Klimës Globale 2021, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka njoftuar planin për përshpejtimin e kalimit të botës në energjinë e rinovueshme. CNN raporton se për Guterres i duhet dhënë fund menjëherë ndotjes nga karburantet fosile.
“Sistemi global i energjisë është i prishur dhe na afron gjithnjë e më shumë me katastrofën klimatike. Lëndët djegëse fosile janë një rrugë pa krye – nga ana mjedisore dhe ekonomike”. Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj të menjëhershme në çmimet e energjisë është një tjetër thirrje zgjimi. E vetmja e ardhme e qëndrueshme është ajo e rinovueshme. Ne duhet t’i japim fund ndotjes nga karburantet fosile dhe të përshpejtojmë tranzicionin e energjisë së rinovueshme, përpara se të djegim shtëpinë tonë të vetme. Koha po mbaron”, tha Guterres.
Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në rritjen e çmimeve të energjisë në mbarë botën, sipas Guterres, janë një zile alarmi. Ai tha se zgjidhja për këtë, është energjia e rinovueshme, teksa prezantoi më tej edhe planin e tij me 5 pika.
“1. Që teknologjitë e energjisë së rinovueshme, si ruajtja e baterive, të trajtohen si “mallra publike globale thelbësore dhe të disponueshme lirisht”. Ai bëri thirrje për një koalicion global për ruajtjen e baterive për të përshpejtuar inovacionin dhe vendosjen, të drejtuar nga qeveritë dhe duke bashkuar kompanitë e teknologjisë, prodhuesit dhe financuesit.
2. Për të siguruar, rritur dhe diversifikuar furnizimin e komponentëve kritikë dhe lëndëve të para për teknologjitë e energjisë së rinovueshme.
3. Qeveritë duhet të ndërtojnë korniza dhe të reformojnë burokracitë për të barazuar kushtet e lojës për burimet e rinovueshme.
4. Qeveritë duhet t’i zhvendosin subvencionet nga lëndët djegëse fosile për të mbrojtur të varfërit dhe njerëzit dhe komunitetet më të cenueshme.
5. Investimet private dhe publike në energjinë e rinovueshme duhet të trefishohen në të paktën 4 trilion dollarë në vit”, tha Guterres.
/rtsh.al/