E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antropokomunizmi - rrethanat historike

Filozofi a autoritariste dhe mekanizmat e saj do të përdoreshin në periudhën komuniste, duke ndërtuar atë që mund të thirret si “antropokomunizëm”. Shqipëria fatkeqësisht, hyri në këtë hulli tragjike. Periudha komuniste ose regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Shqipëri u vendos pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i kushtëzuar nga rrjedha e ngjarjeve brenda vendit dhe rrethanat i situatës globale të pasluftës. Vendet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore u projektuan që në Konferencën e Teheranit e më tej në atë të Jaltës, në shkurt të 1945-ës, që do të mbeteshin nën influencën sovjetike. Ky i fundit, si fitimtar kaloi nga kontrollimi territorial në imponim sistemi. SHBA-ja asnjëherë nuk shprehu ndonjë intencion apo predispozitë për futjen në Ballkan.
"Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës-arsyeton Henry Kissinger. Por kur ndodhi kjo, ushtritë sovjetike i kishin kaluar të gjithë kufijtë e tyre të 1941-it dhe ishin në gjendje të impononin në mënyrë të njëanshme kontrollin sovjetik në pjesën tjetër të Europës Lindore. Ruzvelti pranoi planin e Stalinit për të spostuar kufijtë e Polonisë në perëndim dhe vuri në dukje se nuk do t'i bënte presion Stalinit për Balltikun. Prandaj komentet e tij ndaj planeve të Stalinit për Europën Lindore pas luftës ishin aq të papërcaktuara, gati një apologji",(kërkim ndjese e shfajësim-shënimi im PK) (H.Kissinger, "Diplomacia" faqe 411, botimi shqip).
Presidenti amerikan i asaj kohe, Ruzvelt, më 29 shkurt 1944, përpara se trupat amerikane të zbarkonin në Francë, i shkruante Çërcillit:
"Të lutem, mos më kërko të mbaj në Francë asnjë forcë amerikane. Thjesht, nuk mund ta bëjë këtë! Do të më duhet t'i kthej të gjitha mbrapsht. Ju duhet vërtet ta forconi disiplinën te fëmijët tuaj. Duke pasur parasysh faktin që nesër ata mund të jenë një mburojë për ju, duhet, të paktën të paguani sot për shkollimin e tyre!". Po në këtë optikë gjykimi për rimëkëmbjen, pas luftës Ruzvelti vijon: "Unë nuk dua që SHBA-ja të ketë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit. Kjo nuk është detyrë e natyrshme për ne, 3 500 e ca milje larg. Kjo është, pa dyshim, detyrë e britanikëve, të cilët kanë interesa jetike shumë më të mëdha se ne". (H. Kissinger "Diplomacia", botimi shqip, faqe 396).
Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërcillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan. Ruzvelti e mbështeti zbarkimin në Afrikën Veriore, në nëntor 1942 dhe, pas pushtimit të bregut verior të Mesdheut, një zbarkim në Itali, në pranverën e 1943-shit, që e nxori Italinë jashtë lufte. Fronti i dytë në Normandi nuk u hap deri në qershor 1944, kur Gjermania ishte aq e dobësuar saqë humbjet e aleatëve u zvogëluan së tepërmi, dhe një fitore përfundimtare ishte e afërt. Ajo që e joshte më shumë Stalinin, lidhur me frontin e dytë, ishte, para së gjithash, distanca e tij nga Evropa Lindore e Qendrore dhe Ballkani, ku interesat perëndimore dhe sovjetike kishin më shumë mundësi të ndesheshin". (H. Kissinger, po aty, faqe 404). Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, nën drejtimin e komunistëve, niveli shumë i ulët i pjesëmarrjes në luftë i nacionalistëve, në kuadrin e strukturave të plota dhe funksionale në gjithë territorin e vendit, shfaqja e bashkëpunimit të hapur me okupatorin dhe strukturimi i klasave të larta si kolaboracioniste; konkretisht Balli Kombëtar gjatë pushtimit gjerman përfundoi në Qeveri Kuislinge dhe si Regjencë e gjitha kjo solli si përfundim të gjithëpranuar, se fitimtarë ishin çlirimtarët. Ata i kishin tashmë në dorë fatet e atdheut, pasi kishin realizuar një fitore historike në kuadrin e një luftë botërore, duke u rreshtuar nga boshti antifashist. Aspektet e përplasjes civile nuk mund të justifikojnë bashkimin me okupatorin. A mundet edhe sot pas kaq dekadash që të gjesh në një vend të botës një rast, ku bashkëpunëtorët me nazistët të justifikohen në këtë akt politik tradhtie jo thjesht ndaj popullit të tyre, por edhe në tradhtinë ndaj Frontit Antifashistët botëror dhe idealeve të tij të lirisë e demokracisë? Të kërkosh arsye atje ku nuk ka dhe nuk gjen dot një të tillë, se mes komunistëve dhe ballistëve shpërtheu një luftë civile me qëllim pushtetin e pas luftës, ndaj nacionalistët shkuan tek pushtuesit gjerman; apo se ata ishin për Shqipërinë etnike dhe komunistët jo, e gjithë kjo tingëllon pa arsye. Kufijtë e pas luftës vendosen nga Fuqitë e Mëdha dhe Konferencat Ndërkombëtare, tek të cilat ka rëndësi se në cilin krah rreshtohesh, nga fituesit apo nga humbësit e luftës. Mos harrojmë që pas Luftës së Dytë Botërore u nda Gjermania. 17 milionë banorë të saj krijuan Republikën Demokratike Gjermane, së paku deri në pragun e viteve '90-të të shekullit XX. Si do të mundnim ne shqiptarët, edhe po t'a drejtonin vendin pas luftës nacionalistët kolaboracionist apo legalistët e lëkundur, të bashkoheshim me Kosovën. Jugosllavia pas luftës ishte një nga vendet me kontributet më të mëdha në të dhe shprehte një realitet gjeopolitik multinacional krijuar nga Fuqitë e Mëdha qysh në Konferencën e Paqes në Paris, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, e finalizuar në dhjetor 1918 me Mbretërinë Jugosllave. Në një luftë botërore nuk ka vend për alibi dhe justifikime. Bilanci bëhet në bazë të kontributeve në fushën e betejës, ndaj për të mos krijuar iluzione apo keqkuptime, le të freskojmë kujtesën me relacionin e Edenit-Ministri i Jashtëm i Anglisë drejtuar kryeministrit Churchill në 6.10.1944. E citoj: "Në qoftë se gjermanët do të tërhiqen nga Shqipëria, tani shpejtë nuk ka të ngjarë që Abaz Kupi dhe nacionalistët e tjerë të shtrijnë kontrollin e vet mbi të gjithë vendin dhe ne nga ana jonë, nuk duhet të kemi ndonjë mënyrë për ta ndaluar këtë, sepse Fronti Nacional Çlirimtar është shumë i fortë dhe mund të bëjë edhe pa mbrojtjen tonë. Së këtejmi vendimi: 1) Të tërhiqej misioni pranë Kupit, 2) Të ftohej Enver Hoxha për bisedime në Itali, ku do të trajtoheshin vetëm ndihma ushtarake dhe ndihmat për popullsinë, por jo edhe çështjet politike. (Relacioni i Edenit për Churchill, dt 6.10.1944,PRO-FO/371,File 43555.)
Është fakt historik që komunistët e udhëhoqën dhe fituan luftën kundër fashizmit dhe ky nuk ishte fenomen vetëm shqiptar. Krahas SHBA-së e Britanisë së Madhe qëndronte Bashkimi Sovjetik, ndaj pas lufta do ndërtohej e përvijohej edhe në interes të vendit bolshevik.
Regjimet komuniste pas shembjes së fashizmit, në të gjithë Lindjen Komuniste ishin njësoj, diktatorial, represivë, inkuizitivë, bazuar në luftën e klasave dhe ekonomitë e mbyllura autarkike, dhe me ndeshjet brenda llojit mes ish-bashkëluftëtarësh që "shndërroheshin" në "tradhtar" dhe që "vepronin me thikën pas shpine me njëri-tjetrin në kuadrin e agjenturave të huaja". Ndryshimi në Shqipëri në krahasim me këto vende të Kampit Socialist, nuk vinte nga devijimet në sistem, por nga dallimet në antropologji si trashëgimi historike, si prapambetje në shekuj nga sistemet e munguara, në mënyrë të veçantë ai borgjez dhe demokratiko-borgjez. Një mospërputhje e tillë mes antropologjisë në nivelin e zhvillimit të saj të përgjithshëm dhe sistemit si regjim e strukturë institucionale, ne si shoqëri shqiptare po e përjetojmë edhe në periudhën e Liberaldemokracisë. Prej më shumë se dy dekadash pas 1990-ës gjithçka po ndërtohet sipas legjislacionit, udhëzimeve e dokumentacionit euroatlantik, por se rezultatet në jetë dhe praktikat e përgjithshme mbarë-institucionale flasin për një sjellje të patejkaluar orientaliste të drejtuesve dhe turmës antropofeudale, si në raportet e saja me shtetin ashtu dhe në marrëdhëniet me ligjin, rregullin dhe lirinë. Kjo ndodh, edhe kur qëndrimet janë të hapura e spektakolare edhe kur janë të fshehura e të lyera me "bojëra të modernizmit" që stonojnë si në logjikë ashtu dhe në sinqeritet në marrëdhënien me të vërtetën. Ndryshon dhe zhvillohet masa e gjerë antropologjike, kulturohet dhe qytetërohet ajo, ndaj në këto kushte e rrethana mund të zhvillohet shoqëria, të demokratizohet jeta e komunitetit, dhe të thellohet karakteri human i shtetit e pushteteve në shërbim të publikut taksapagues. E përbashkëta e të tre sistemeve të fundit në historinë e Shqipërisë, Mbretërisë, Komunizmit e Demokracisë është manovrimi me turmat, e cila në mungesë të kulturës dhe traditës demokratike, është manipuluar në instinktet e saja. "Turma është impulsive, e lëvizshme dhe e irrituar - arsyeton Zigmund Frojd. Këto impulse varen nga rrethanat dhe mund të jenë fisnike ose të egra, heroike ose frikacake, por në çdo rast të komanduara që të mos lejojnë individualitet dhe vetëkontroll". Ka rëndësi të mos nënvleftësojmë faktin antropoinstitucional dhe antropodemografik. Shumica e popullsisë që vendos në të gjitha sistemet, në atë diktatorialin me dhunë, në atë demokratikun me votë", është njeriu i zakonshëm nënmesatar, shpesh njeriu në nevojë, që si thoshin latinët drejtohet nga parimi utilitar, "necessitas non habet legem".(njeriut në nevojë nuk i duhet ligji). Një gjendje e tillë antropologjike e ka rrënjën tek struktura antropofeudale e turmës dhe prijësit/prijësve do të thonim për liberaldemokracinë e sotme shqiptare, dhe tregon se ku ka mbetur ora jonë historike e institucionalizmit. Është penguar në dekada që individi antropologjik të shndërrohet në individ institucional i cili duhet të kryej hapin e rëndësishëm epokal si një qytetar borgjez, të jetë i lirë nga frika. Komunizmi në Shqipëri këtë bëri, ushqeu nevojat utilitare dhe krijoi turmën që herë e ndizte si entuziaste, herë e trembte si frikacake atë. Ky lloj deformimi karakterial ka lënë gjurmë të thella. Rituali antropologjik nuk ndryshon me shembjen e një sistemi dhe vendosjen e një të riu. Ndryshimi i tij fillon pas tri brezash antropologjik(75 vite) dhe mund të humbasë plotësisht tiparet, pas pesë brezash antropologjik.(125 vite).
Kombi shqiptar në mbarim të Luftës Nacional-Çlirimtare po rilindte i çliruar dhe me shtetin e tij, sepse, në fund të luftës në forumet e larta të antifashizmit njësoheshin strukturat e mekanizmit të ardhshëm shtetëror. Shteti klasor proletar paraqitej si shteti më i mirë për kombin, pasi klasat e pasura trajtoheshin si tradhtare të luftës dhe të atdheut, si njerëz që kishin punuar për armikun dhe kundër interesave të popullit. Këtu zë fill nacionalizmi në kuptimin e një ndjenje atdhetare i Enver Hoxhës, si karta më e fortë e tij, që u luajt gjatë gjithë sundimit gati gjysmëshekullor, me të gjitha format e "sendërtimit" dhe derivatet antropologjike. Herë me trajta dhe rezultate pozitive dhe herë si propagandë e pastër për mbajtjen e pushtetit.
"Duke mbajtur parasysh bazën e ngushtë mbështetëse që lëvizja komuniste kishte në Shqipëri, si dhe nevojën e Hoxhës për ta braktisur çështjen e Kosovës (si i pafuqishëm për t'a zgjidhur), ndoshta nacionalizmi i skajshëm mbetej i vetmi mjet, me anë të të cilit Hoxha mund të qëndronte në pushtet dhe të ecte drejt ndërtimit të një shteti modern stalinist.
Nacionalizmi doli se ishte elementi kryesor i gjithë politikave të tij. Ai nuk mund të vepronte ndryshe, pasi vetë lufta e kishte përcaktuar si strumbullar të regjimit të tij këtë ndjenjë nacionalizmi prej shtetrrethimi, të përforcuar nga miti, sipas të cilit shqiptarët e kishin mposhtur pushtuesin fashist me armë në dorë". (Bernd Fischer, "Shqipëria gjatë luftës 1939-1945", faqe 352) Instrumenti realizues i këtij nacionalizmi ishte shteti-komb. Ky mekanizëm u përdor nga regjimi komunist, si njësia disiplinuese që mbushi ambientin antropologjik në të gjithë territorin e vendit, dhe me kohezionin mbarënjerëzor krijoi entuziazmin, tregun unik të marrëdhënieve gjithëplanësore, farkëtoi krenarinë kombëtare. Energjia e ndryshimit për vete, përmes shtetit të popullit, realizoi në dekadat e para një impakt pozitiv, i cili nuk jepte arsye që shoqëria të gjykohej krahasuar me realitetet borgjeze të vendeve europiane. "Në periudhën menjëherë pas luftës, komunizmi kishte ende dinamizëm ideologjik të konsiderueshëm." (H. Kissinger, "Diplomacia", faqe 627). I tillë ishte entuziazmi edhe te ne, pas 29 nëntorit të 1944-ës. Një antropologji historikisht e izoluar, që lëvizi brenda në territorin kombëtar vetëm gjatë luftës nëpërmjet reparteve partizane dhe pasluftës në sajë të punëve vullnetare apo shtetërore, nuk kishte se si të ëndërronte, pa le të vepronte për të lëvizur në një botë tjetër në emër të lirisë, me ideal demokracinë borgjeze. Instinkti i vjetër antropologjik i mbijetesës brenda strofullës, ku riprodhimi natyror ishte ideali dhe qëllimi i jetës, ndjehej i kapërcyer në kushtet kur masa njerëzore filloi ta njihte veten, duke ndërtuar marrëdhënie globale brenda vetes.
Individi i saj, që nuk ia kishte haberin për teorinë e komunizmit, këtë formë të re ekzistenciale, që ofronte për të një realitet krejt të ri, i cili e ndihmonte ta ndryshonte veten duke çliruar energjitë e brendshme, nuk e paragjykonte atë. Ai nuk e dinte që kjo lëvizje ishte njerëzore, civile dhe pjesë e komunitetit në një shoqëri që po organizohej përtej sistemit fosil feudal dhe pjellës së tij, sistemit çifligar. Nuk mund të gjykohej aso kohe se një mekanizëm i tillë social ishte ABC-ja ekzistenciale e çdo shoqërie normale që realizon demokracinë në praktikë.
Për antropokomunistin ky lloj ndryshimi ishte fryt vetëm i sistemit të pushtetit popullor, i diktaturës së proletariatit. Kjo ishte hapësira jetësore që sollën komunistët, edhe si çlirimtarë, edhe si pushtetarë të rinj. Në zgjedhjet e para të përgjithshme të 2 dhjetorit 1945, përpjekjet për të ndërtuar një pluralizëm politik të tipit perëndimor dështuan; jo vetëm nga goditja e shtetit komunist, por edhe nga fakti i mungesës së një tradite dhe strukture sociale të nevojshme për një organizim të tillë. "Pluralizmi politik ishte zhvilluar në Perëndim në mes të shoqërive kompakte, ku prej kohësh ekzistonte një konsensus social i fuqishëm që krijonte tolerancën për opozitën, pa rrezikuar ekzistencën e shtetit. Por atje ku shteti ende nuk është krijuar, opozita mund të duket si rrezik për ekzistencën kombëtare, sidomos kur nuk ka shoqëri civile për të siguruar një rrjetë shpëtimi. Në këto kushte, ka një ngasje të fuqishme, shpesh mbizotëruese, për ta barazuar opozitën me tradhtinë". (H. Kissinger, "Diplomacia", faqe 639).
Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Ndaj opozitës u organizua i ashtuquajturi "gjyqi i deputetëve". Ndëshkimet e dhëna bënë që sistemi i servirur të pranohej pa oponencë nga masa e gjerë e njerëzve. Instinktivisht filloi të vepronte mekanizmi tradicional. Edhe në këtë rast kemi realitetin e dyzuar të konvertimit me një sistem që nuk prodhohet nga niveli real i zhvillimit të antropologjisë në kohën e dhënë, por që vjen i imponuar dhe i pranuar nga padija dhe frika.
Bazuar në përvojën e mbretërisë së Zogut dhe regjimin e Hoxhës, tek antropologjia jonë u krijua dhe u konsolidua jo me bindje teorike, por me shtrëngim dhe mungesë lirie të individit, vetëdija e shtrembër se "shtetin-komb" e bëjnë vetëm sistemet shtrënguese dhe regjimet autoritariste.
Jashtë tyre mund të ketë një shoqëri të një shteti ende të paformuar. Një përfundim i tillë kishte edhe bazë reale, pasi shteti i munguar ishte një realitet që, si ndëshkim mbushej me anarkinë dhe plaçkitjen, referime këto tek oshtima instinktive e të parëve. Ky mekanizëm është thika në palcë të pronës dhe individualizmit që lidhet me të, dhe jo thjesht një gjest moral i dënueshëm.
Të gjithë kundër të gjithëve për të grabitur: Ky është tregu i anarkisë që riciklon veten si një rebus mallkimi. Kjo ishte provuar tek antropologjia shqiptare në mënyrë ciklike.
Ndaj shteti, sado antidemokratik që të jetë, është më mirë se shoqëria anarkike. Për këtë shkak ishin mirëpritur si autoritarizmi mbretëror ashtu edhe ai diktatorial komunist.
Demokracia nuk mund të realizohet me një antropologji të pakulturuar e me relievizim të saj në skaje ekstreme. Shoqëritë parashtetërore apo antropologjitë me shtet historik të munguar nuk ofrojnë kushte të mjaftueshme për demokracinë institucionale.
Por një popull si i ynë, që jo vetëm me pak kohë në histori, por edhe në një numër shumë të vogël njerëzish, e ka pasur këtë akomodim që jep kultura në përgjithësi dhe ajo civilo-ligjore në veçanti, nuk mund të mos ndodhte që antropologjia shqiptare në vijim gjithëkohor ta pranonte shtetin si një kujdestar të fateve kombëtare. Si një autoritet që prodhon frikën, si një ndëshkues moral në interes të shumicës, e cila realisht është pjesa më e prapambetur e antropologjisë shoqërore, më pak e shkolluar, më shumë e nënshtruar, e gatshme ta strehojë në grup fatin tek autoriteti: Dikur te prijësit, më tej te mbreti dhe, së fundi tek udhëheqësi.
Komunizmi e homogjenizoi shoqërinë jo me kulturën, por me dogmatizmin komunist dhe sloganet moralizuese me apostrofim të interesave kombëtare dhe fatit të rrezikuar të kombit.
Koncepti historik i Risheljësë, i "raison d'etat" (arsye shtetërore), në Shqipërinë komuniste mori jo pa qëllim trajtën "raison de nation" (arsye kombëtare). Paranoja e të qenit në rrethim, ajo e rrezikut nga armiku i jashtëm apo armiqve historikë e mbajtën popullin, pas Luftës së Dytë Botërore jo në periudhë paqeje, por në pauzën e ndërmjetme të armëpushimit. Ky ankth për fatin e kombit, atdheut dhe familjes e bëri antropologjinë të frikësuar thellë, të gatshme e mjaft të predispozuar për t'u strehuar te shteti autoritarist, i cili godiste "armiqtë e brendshëm që bashkëpunonin dhe shërbenin si agjenturë e atyre të jashtëm". Shërbimet inteligjente, jo në pak raste kanë bërë të verbrin ndaj urdhrit politik, vetëm për të krijuar skenën e besueshme, si dhe për të qetësuar paranojën e udhëheqësit. "Atë që vendosin udhëheqësit politikë, shërbimet e spiunazhit synojnë ta justifikojnë. Në botën reale vlerësimet e spiunazhit më shpesh zbatojnë se sa drejtojnë vendimet politike". (H. Kissinger, "Diplomacia", faqe 303).
Fati kolektiv "i rrezikuar" mbyti çdo iniciativë për fat individual, qoftë edhe si ëndërrim apo mendim ndryshe. Gjatë periudhës së diktaturës së proletariatit, Shqipëria si formë regjimi ishte Republikë. Ajo u shpall më 11 Janar 1946 Republikë Popullore dhe, më 1976 Republikë Popullore Socialiste. Sistemi politiko-shoqëror, si "Diktaturë e Proletariatit" duket më shumë si një relike e vjetër frazeologjike, e mbarsur nga literatura komuniste. Realiteti ishte i strukturuar ndryshe. Në Shqipëri nuk ekzistonte raporti proletariat-borgjezi. Për shkaqe të njohura dhe të një realiteti historik të dokumentuar e përjetuar, asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka pasur industri kapitaliste, borgjezi të madhe dhe proletariat industrial. Pas shtetëzimit të pronës, klasa e borgjezëve dhe e pronarëve nuk ekzistonte. Fshatarësia, që përbënte shumicën e popullsisë, rreth 90% të saj në Shqipëri (në mbarim të Luftës së Dytë Botërore), iu nënshtrua një ndryshimi të çuditshëm. Ajo u pajis më tokë përmes reformës agrare, e cila realizoi një objektiv i mbetur, e i parealizuar historikisht dhe që, si detyrim i faturohej Revolucionit Demokratiko-Borgjez.
Në periudhën e mbretërisë pati përpjekje, por ato mbetën vetëm të tilla: Ajo u sabotua dhe nuk u realizua ndonjë reformë agrare. Me krijimin e kooperativave bujqësore, u shoqërizuan si pronë grupi tërë inventari bujqësor, përfshirë edhe tokën, si edhe fuqia punëtore. Pra, fshatari individual u shndërrua në pjesëz e paidentifikuar e një pronari kolektiv.
Një masë e fshatarësisë, që u shpërngul në qytete, fillimisht i mbajti lidhjet me fshatin, por gradualisht ato u zbehën. Krijimi i industrisë, tregtisë dhe sektorit të shërbimeve i thithi ata si fuqi e re punëtore. Kjo pjesë e fshatarësisë krijoi punëtorinë e re. Ky proces kishte filluar në Europë në fillim të shekullit 16-të dhe vijoi disa shekuj deri në krijim e proletariatit industrial. Tek ne po ndodhte në shekullin e XX! Pas përplasjeve ekonomiko-sociale procesi njohu edhe disiplinim ligjor. Në një sistem të planifikuar shtetëror duket sikur vendoset rregull, por atje nuk ka përgjegjësi dhe për këtë arsye, mungon kushti themelor për një ekonomi të efektshme. Një përfundim i tillë nuk mund të nxirrej në vitet e para të pasçlirimit. Është për këtë shkak që pranimi i marrëdhënieve ekonomike dhe atyre shtetërore u bë pa kundërshtim nga masa e gjerë antropologjike. Kundërshtonin vetëm të shpronësuarit që ishin një pakicë. Përfundimi: Delegimi i të gjitha sovraniteteve te "shteti i punonjësve" që shpërfaqi autoritarizmin klasor dhe i zuri vendin autoritarizmit mbretëror. Ky i fundit dukej më i keq. Ai njësohej me një njeri si mbreti, i cili në prag të pushtimit e braktisi vendin. Mjerimi i akumuluar u bashkëshoqërua edhe me pushtimin fashist, ndaj njerëzit e përbuznin atë kohë. Ndërsa sistemi shtetëror komunist, fillimisht përballë një popullsie të pakulturuar, që dilte nga lufta dhe merrte rolin e një kujdestari social gjithëshoqëror, nuk mund të mos krijonte shijen prindërore për hallet e popullit. Ajo pjesë civile e shkolluar brenda, por në veçanti jashtë vendit, ishte e tillë që nga numri dhe raportet me pronën dhe njerëzit e varfër nuk mund të arrinte të krijonte një vizion tjetër për shtetin, shoqërinë dhe demokracinë.
"Demokracia popullore" (klasore), si thirrej atëherë, trokiste për herë të parë në ndërgjegjen e një popullsie me disiplinë krahinore dhe fisnore; ajo i afrohej një antropo-logjie administrative infantile, e cila që prej shpalljes së pavarësisë kishte përjetuar mungesën e periudhave të qeta shtetformuese. Instinkti i vjetër i delegimit tek autoriteti ishte zgjuar. Aq më tepër, që ky autoritet kishte edhe karakter ndërkombëtar, sepse shtrihej në gjysmën e Europës; por edhe kombëtar, pasi nuk ngjante me pushtetin imperial të perandorive të dikurshme.
Ai erdhi edhe në formën e një "demokracie direkte" të fitimtarëve të luftës. Nuk kishte një regjim apo sistem tjetër të paraluftës që mund të rivinte në pushtet, sepse strukturat dhe antropologjia mbretërore ishin inekzistente. Një propagandë e tillë antiruajale ishte bërë që gjatë luftës. Le të vigjilojmë mbi disa nga thëniet e Enver Hoxhës, që gjatë luftës, ku hapur flitet për një pushtet të ri. "Lufta jonë është një luftë nacionalçlirimtare, e cila ka për objektiv çlirimin e plotë të atdheut dhe vendosjen e një regjimi demokratik, formën e të cilit do ta vendosë vetë populli pas çlirimit. Pra, lufta jonë do të jetë një luftë politike dhe ushtarake".
"Populli nuk do të luftonte që t'i pastrohej rruga Zogut apo shërbëtorëve, miqve e armiqve të tij".
"Historia ecte përpara, populli qe zgjuar dhe aspiratat e tij, që i përfaqësonin bijtë e bijat më të mirë, komunistët e patriotët e vërtetë, ishin për një Shqipëri të lirë nga shtypja, qoftë e jashtme, qoftë e brendshme". "Popullit, kur të vijë koha, ne do t'ia krijojmë mundësitë që të shprehet vetë lirisht për regjimin që do të pëlqejë". "Por si komunistë, si armiq të çdo zgjedhe, ne e kemi për detyrë që në rrugët e duhura, në përshtatje me problemin themelor të momentit, t'i përgatitim e t'i bëjmë të ndërgjegjshme masat për të zgjedhur të ardhmen më të sigurt". (Marrë nga libri "Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re", Enver Hoxha, faqet 165, 171, 189).
Për ndërgjegjen kolektive dhe individuale të asaj kohe, një organizim i tillë zgjonte vëmendje, interes dhe besim. Për herë të parë nuk përsëritej mallkimi i vakuumit të pushtetit në hapësirën vendore, i cili historikisht kishte shpënë në anarki dhe vetadministrim natyror, krahinor apo edhe më ngushtë akoma me aventura jo pa pak kosto shkatërrimi. Psikologjikisht antropologjia krijoi ndjesinë se edhe mund të prodhonte shtet dhe jo vetëm të konsumonte, si edhe kishte bërë historikisht. Përjetimi ishte kolektiv, por edhe i lidhur me një detaj shumë të rëndësishëm. Gjithnjë kishin qenë të bashkuar për të luftuar e të ndarë për të qeverisur. Tani po provohej se mund ta realizonin edhe këtë peng të munguar civil; kjo krijoi një koherencë sociale dhe territoriale, duke shkaktuar një entuziazëm gati të verbër, por shumë të fortë. Përballë tij edhe sot kur e mendon, nuk gjen rrugëzgjidhje tjetër për ta futur rrjedhën historike. Instinkti i vjetër i strukjes pas luftës dhe rikthimit në formën primitive ekzistenciale, për herë të parë nuk ndodhte. Ky ishte një revolucion i vërtetë në ndërgjegjen dhe subkoshiencën e antropologjisë. Po hyhej në përpjekjen e parë për të prodhuar diçka për veten. Mungesa e kulturës civile, injoranca dhe analfabetizmi nuk mund kurrsesi të jepnin shans për të kuptuar teorikisht ç'ishte komunizmi, ideologjia komuniste dhe lufta e klasave, prona shtetërore apo kooperimi agrar. Ata që drejtonin, kryekomunistët, në shumicën dërrmuese ishin vetëmendimtarë të çalë në teorinë komuniste, gjysmëdritor në fushën e dijes civile dhe kulturës perëndimore. Gjithçka binte erë feudale, aromë fshatare në sjellje e drejtim. Hierarkia e ushtrisë partizane u shndërrua në hierarkinë e sistemit shtetëror, në të gjitha hallkat e tij. Ecej nën drejtimin e mekanizmit të ndryshimit përmes ngjasimit në turmën e shteteve komuniste; shembulli sovjetik jepej si fanarë ndriçues. Edhe nga botëkuptimi antroporeligjioz i së kaluarës gjendej po ky mekanizëm i zgjidhjes, sipas shembullit ose rastit të ngjashëm. Mekanizmi politik rrëmbeu sovranitetet ndërsa ai ekonomik siguroi autoritarizmin politik social dhe njerëzor, sepse thau çdo mundësi mbijetese jashtë mekanizmit të imponuar shtetëror dhe kolektivist komunist. Prona individuale erdhi duke u tkurrur deri në shoqërizim të plotë në gjysmën e dytë të viteve '60 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri, në periudhën e diktaturës komuniste, punonjësit e prodhimit nuk njihnin sa ishte vlera e shtuar, akumulimi monetar dhe kontributi i tyre në sektorin ku punonin, si sferë aktiviteti që shtonte prodhimin kombëtar. Shifrat përdoreshin për vlerësime globale, duke operuar me dy sektorë të mëdhenj të prodhimit: Bujqësi dhe industri. Flitej për minierat, energjetikën apo tregtinë, të jashtme e të brendshme, por treguesit ekonomiko-financiarë ishin tërësor për degën e prodhimit apo sektorët e aktivitetit. Në këto rrethana, në disa breza u krijua bindja e verbër se autoriteti që i mbronte njerëzit ishte shteti. Ai planifikonte gjithçka: Kushtet e jetesës, koston e saj, nivelin e mirëqenies, ritmet e zhvillimit, prosperitetin në tërësi. Fati njerëzor kishte siguruar hipotekim, dhe kjo e bënte të sigurt familjen në breza. E tërë struktura organizative, funksionimi administrativ dhe institucional ishte konceptuar dhe funksiononte si e tillë, shtrënguese dhe autoritariste, ku ishin deleguar tërë atributet dhe sovranitetet. Në shtetin socialist, organet e tij drejtuese dhe vendimmarrëse, legjislative, ekzekutive, gjyqësore, të strukturuara në trajtën e një piramide, nga organet drejtuese e deri në ato më të ulëta, nga qendra në kryeqytet e të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë, kontrollonin gjithçka, gati edhe frymëmarrjen e njerëzve, bazuar në vijën e partisë dhe nën drejtimin strikt të saj. Ata që drejtonin këto organe ishin udhëheqësit qendror dhe lokalë të PPSH-së (Partia e Punës së Shqipërisë).Udhëheqësit e lartë ishin njëherësh edhe deputetë, edhe ministra e drejtues të lartë të pushtetit vendor. Në këtë kuptim, ajo quhej partia-shtet. Partia vërtet përbëhej nga masa e organizuar e anëtarësisë, e cila nuk gëzonte ndonjë nivel kulturor dhe teorik për teorinë e komunizmit dhe autorët e spikatur të saj, por më shumë si masë idealiste, gati me një besueshmëri të verbër, i ishte nënshtruar udhëheqjes së lartë fatalisht. Ndërsa kjo personifikohej me udhëheqësin kryesor të saj. Ky mekanizëm nuk qe një marrëveshje palësh, ku përcaktohen të drejtat e tyre reciproke në paritetin që nuk lejon që njëri të jetë i nënshtruar dhe tjetri nënshtrues. Ai funksionoi si një mekanizëm shpërbërjeje dhe denigrimi, sepse sundimtari parti-shtet veproi si një gjykatë inkuizitive, me të drejtën ekskluzive për të ndëshkuar, gjoja në interes të të gjithëve edhe përmes goditjes së individit që nuk mund të ishte institucion i pavarur me dinjitet dhe profil të veçantë.
U luajt me kartën e ngritjes së një strukture të re social-klasore, duke e parë si të papranueshëm atë që kishte ekzistuar përpara fillimit të luftës, e cila, gjithsesi, kishte qenë e padefinuar përfundimisht për shkaqe historike, ekonomike, sociale dhe politike.
Në këtë zinxhir varësie, populli nuk e kishte të institucionalizuar autoritetin e vet. Partia-shtet, që kishte gjithë autoritetin drejtues në të gjitha hallkat e jetës ekonomike, politike, shoqërore, kulturore, administrative, juridike, ushtarake, arsimore, bile edhe atë fetare, shpalosej si sovrani posedues i të gjitha sovraniteteve. Në hierarkinë partiake, mbi partinë ishte udhëheqja. Në krye të saj dhe popullit ishte udhëheqësi. Ky jetërsim me bindje, pavetëdije apo frikë të institucionalizuar gjeneronte klimën e autoritetit të padiskutueshëm dhe të adhuruar në mënyrë gati groteske. Kulti i udhëheqësit apo prijësit e sillte shoqërinë në konfiguracionin e antropologjisë feudale. Turma dhe Prijësi. Brenda kësaj skeme u ngrit kulti udhëheqësit historik.
* Pedagog në Universitetin "Luarasi" i lëndës "Antropologji dhe Globalizëm".

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›