E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djeshmja, si persekutim i pasosur

Po bëhen gati 22 vjet me demokracidhe e djeshmja/e kaluara po napërndjek si hije dhe si persekutim qënuk paskësh të sosur. Të përndjekuritpo hyjnë përsëri në grevë urie; kjo do të thotë se ata ende nuk i kanë shëruar plagët e së kaluarës. Edhe ish-pronarët kanë mbetur, jo pak, nj'ashtu si në '90-ën: Ish-pronarë. Nuk është shuar ende kufiri i thepisur armiqësor mes ish-ballistëve, ish-nacionalistëve dhe ish-komunistëve; edhe këta mbetën po ata që kishin pas qenë, paçka se shumica kanë vdekur. Skeçi politik me ish-komunistë dhe ish-ballistë që kacafyten mes vedi tani është zëvendësuar me ish-bllokmenë, me "bij të etërve" në njërën anë dhe me demokratë matanë hendekut. Të nakatosur në mishmashin e pazgjidhur të ca bashkëfajtorëve e ca bashkëvuajtësve, kopetë partiake po ndjekin po atë udhë qorre që ndoqën të parët e tyre, prandaj ndasitë dhe sherret, moskuptimet dhe hasmëritë, tensionet dhe konfliktet "për mustaqet e Çelos" (politikbërje quhet kjo, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me ne e me interesat tona imediate), nuk janë fashitur.
Tejemot zanati më i paguar ka qenë dhe ka mbetur ai i mercenarit pa din e pa iman. Shpërblimi i tyre konvertohet në prona, në poste e më pas ata transformohen në biznesmenë, deputetë e ministra; rangu më i ulët, drejtor drejtorie. Ata që nuk binden ndëshkohen duke u hapur dosjet dhe duke i rrëfyer popullit pseudonimin. Edhe kjo quhet politikë. Madje e suksesshme. Lufta e mercenarëve merr vlerë kur këta dinë të sulmojnë kundërshtarët qoftë edhe duke shtrembëruar historinë, biografitë, të kaluarën, bëmat, origjinën e gjysh-stërgjyshërve. Ndaj persekutimi (ose mbivlerësimi) me ndihmën e së kaluarës vazhdon të jetë arma politike më e efektshme. E vetmja që funksionon përbukuri. Ky është ushqimi më i preferuar i mediave dhe i yni, si qytetarë e si votues. Kush vlerësohet e nderohet më shumë sot, kujtimi i një gjyshi zogist, apo një enverist? Një gjysh dëshmor apo një gjysh kolaboracionist? Një gjysh me apo pa prona? E kaluara vlen si trashëgimi, si tapi, si një lopë politike që milet, por edhe si një sapun që vlen për të larë e shpëlarë fytyrën e pistë. Andaj historia e shkruar dhe protagonistët e saj, bashkë me trashëgiminë kulturore vazhdon të përndjekë dhe të persekutojë të sotmen me po atë fuqi propagandistike që kishte në kohën e Luftës II e më pas. E kaluara, origjina dhe veprimtaria e njeriut edhe sot shfaqet herë si një mëkat dhe herë si armë. Krerët tanë janë vetëshpallur tashmë pronarë edhe të historisë: Mund të falin det, mund të shesin naftën, kromin dhe hidrocentralet, por meazallah se e japin, qoftë edhe me koncesion, historinë te historianët. Se duke kapur historinë dhe të shkuarën ata e kanë më të lehtë të bëjnë lëmsh të sotmen. Prandaj gjykimit të tyre nuk i kanë shpëtuar as të vdekurit, sado të shquar të kenë pas qenë. Varrimzhvarrimet e vlerave dhe antivlerave bash për këtë arsye vazhdojnë të jenë burim suksesi e vetëlavdie. E vetmja datë për të cilën bien të gjithë dakord është 28 Nëntori i Ismail Qemalit. Ashtu si në totalitarizëm u fshinë emrat e firmëtarëve që "nuk ishin me ne", edhe sot ka diferencime e preferenca, natyrisht jo klasore, por partiake, krahinore, fetare e, pse jo, edhe tribale. Nuk është padija që i drejton, si kujtojmë, jo! Është dyshimi paranojak se mos nuk u vete nga pas Historia, si një kone! Qenka një hall i madh ky, hall mbi të gjitha hallet e kombit!
* * *
Edhe pse Ahmet Zogu në vitin e Pavarësisë ka pas qenë kalama, tashmë është vendosur që ai të vlerësohet e të nderohet po aq sa Ismail Qemali. E pra, në këtë keqkuptim të pasosur e të qëllimtë që politika i bën historisë ne ende nuk e kemi zgjidhur dilemën: Lufta N.Çlirimtare ka pas qenë luftë civile apo çlirimtare? Dhe si për ta bërë edhe më qesharake këtë ngatërresë absurde, gjysma e shqiptarëve, madje edhe në diasporë, përkujton 28 Nëntorin, gjysma tjetër 29 Nëntorin, duke u zënë kësaj here për minutat dhe për sekondat se kur ka ikur gjermani i fundit nga Shkodra! Mjaftojnë, besoj, shembujt e mësipërm, për të provuar se përçarja kombëtare që sendërtohet përditë me/mbi keqkuptimet, trysnitë, dasitë, konfliktet dhe mospajtimet e historisë ka mbetur një persekutim i pasosur në të gjitha sistemet politike që kanë kaluar në këtë 100-vjetor me shtet të mëveçëm. Nga kjo cilësi, mjerisht, nuk po shkëputemi dot; përkundrazi, liria dhe demokracia e shumëpritur i kanë amplifikuar edhe më dasitë dhe përçarjen, në vend që të ndodhte e kundërta. E vërteta është se me këtë "lëndë" helmuese rekrutohen, mobilizohen, motivohen dhe ndërsehen për hiçmosgjë kundër njëri-tjetrit militantët, mercenarët dhe kamikazët partiakë. Mjafton të shihen blogjet në internet për të kuptuar se në çfarë derexheje ka përfunduar, edhe në vitin 2012, yryshi i kësaj epidemie të pakuruar e pa asnjë profilaksi morale. Në çdo parti karrierë të suksesshme bën vetëm ai/ajo që di të përdorë më mirë dobësitë e të kaluarës së kundërshtarit, qoftë edhe me shpifje. Është pikërisht kjo kërleshje mediatike që i ka dhënë formë e kuptim kompleksit vuajtës prej së kaluarës, aq sa duket sikur sot më të pastër janë vetëm ata që ende nuk kanë lindur e që nuk kanë as nënë, as babë, as kujtesë dhe as adresë! Nuk ka kurrkund në Ballkan sherre dhe mospajtime të kota për historinë si tek ne! Tanimë ne nuk ushqehemi vetëm me folklor, po edhe me histori, me heronj të paqenë dhe bëma të dyshimta.
* * *
Sigurisht që nuk është as i pari dhe as i vetmi Berisha që ka ditur ta përdorë dhe ta ndërsejë me mjaft sukses e dobi të djeshmen, të kaluarën, historinë kundër së sotmes, për përfitime vetjake. Sulmet e pareshtura e të mirë ndërtuara që i bëhen PS dhe mbështetësve të saj, duke i etiketuar si trashëgimtarë të diktaturës, si neo-bllokmenë, si kriptokomunistë, si anti-evropianë, etj, nuk mund të thuhet se nuk i kanë prurë Berishës dhe shpurës së tij dhurata e rezultate të favorshme. Nuk mund të mohohet që kjo është edhe merita e tij më qenësore, pse jo edhe shkaku i vetëm përse ka mbetur kaq gjatë në pushtet. Nëse nuk do të dinte ta përdorte me mjeshtëri të pashembullt këtë armë çudibërëse të përçarjes, të mallkimit, poshtërimit dhe përbaltjes së kundërshtarit me lopatat dhe buldozerët e së shkuarës, Berisha nuk do të guxonte të thosh: Do të mbetem në pushtet edhe 30 vjet të tjera, aq sa të më japë ymër Allahu!
Edhe pse Rama nuk ka qenë asnjë ditë komunist a sekretar partie si Berisha, ai cilësohet si trashëgimtar i Bllokut dhe i komunizmit, kurse Berisha më i përbetuar antikomunist, edhe se Haveli, në mbarë ish-Lindjen. Socialistët e vuajnë këtë "kompleks" aq sa, edhe kur janë në pushtet detyrohen të japin prova se nuk janë ata që akuzohen, pasi në të vërtetë janë demokratë të vërtetë e të kulluar, se ja, shikoni dhe binduni se si po kryejnë herë politikën "e gjithëpërfshirjes" e së fundi edhe atë të quajtur "as i majtë dhe as i djathtë". Për t'i dëshmuar (kujt? Berishës, apo ndërkombëtareve?) se nuk janë trashëgimtarë të nomenklaturës së kuqe, si akuzohen përditë, ata futën në qeveri dhe bënë ministra jo pak eksponentë të lartë të PD-së, të ikur nga kjo parti jo se u bënë socialistë, porse kishin mbetur të pakënaqur nga postet e ofruara prej PD-së. Edhe së fundi, duke qenë në opozitë, lidershipi i PS-së afroi dhe mikloi jo vetëm Ndokën e PDK-së, jo se "koalicioni" me të do të shtonte vota, por për të provuar se në të vërtetë nuk janë "ata" që dyshohen se janë. Prandaj të gjitha luhatjet e opozitës në tryezën e shtruar nga diplomatët e huaj për konsensus të detyruar, në fillim me ca kushte e në fund pa kushte, shpjegohen me këtë kompleks: Mos na vlerësoni si trashëgimtarë të diktaturës, mos besoni që jemi ish-komunistë, meqë nuk ia ndryshuam emrin ZP-së e meqë elektorati ynë është me"kasketë", i majtë, se na votojnë veteranët e Luftës, etj etj… pasi ne jemi ndryshe, ne jemi demokratë të vërtetë!
E pra, Berisha nuk e vuan aspak këtë kompleks, përkundrazi! Normale do të kishte pas qenë që të vuante ai, por Berisha ndoqi me një këmbëngulje të admirueshme e të pashembullt rrugën e tjetërsimit total për të fshirë dhe për të fshehur gjynahet vetjake të së kaluarës së vet, duke e hedhur "qenin e ngordhur" te gardhi i të tjerëve. Edhe pse në PD hynë, të cytur nga qëllimi i lartpërmendur, ish-komunistët dhe ish-spiunët më me tepër gjynahe, spiunllëqe e krime mbi shpinë, fakt është që Berisha ka mundur, në këtë lloj shantazhi të pasosur, të hedhë gjithë peshën e fajit të së kaluarës diktatoriale vetëm te kundërshtarët, te PS! Kanë kaluar mbi 20 vjet dhe krerët e opozitës nuk ndjehen të çliruar nga ky kompleks, ku qëllimisht i mban të mbërthyer Berisha. Dobësia, miopia, ngathtësia, paqartësia, qëndrimet e shpeshta me ekuivoke, as mish as peshk, të opozitës e kanë burimin pikërisht te ky kompleks i pakapërcyer i së kaluarës komuniste.
Po të analizosh Gërdecin, 21 janarin, rrjedhën e grevës së urisë para qeverisë, më pas Krokodilin, zgjedhjen pa konsensus të Presidentit, kërkesën sa për të larë gojën për një SHISH të pavarur, luftën për imunitetin dhe tërheqjen e beftë nga ndryshimet kushtetuese, rrezik edhe kërkesat e fundit për Gjykatën e Lartë, etj, etj, më tepër se për një betejë parimore të opozitës dëshmojnë për frikën e instaluar tashmë se mos ndërkombëtarët i gjykojnë sërish për ish-komunistë, për ish-bllokmenë, si i akuzon Berisha. Berisha luan përherë rolin e të fortit, zgjedh faktin e kryer, duke u rrëfyer i pamposhtur dhe i pathyeshëm, sepse nuk e vuan të kaluarën e vet, përkundrazi!
Për hir të së vërtetës ky duhet të vlerësohet si avantazhi i vetëm i Berishës. Ndoshta ky është shkaku që e shtyu ambasadorin amerikan, në ditën më të keqe, ta quajë Berishën, edhe pse u vranë pesë qytetarë te dyert e kryeministrisë, një "burrë shteti"! Ndoshta te ky kompleks qëndron edhe pafuqia e opozitës për të imponuar me forcë zbardhjen e Gërdecit, 21 janarin, vjedhjet e votave e të pasurive publike; prandaj edhe hajdutët dhe keqbërësit qeveritarë vazhdojnë të ikin në drejtim të paditur. Sepse kur historia përdoret nga politika si persekutor është tejet e vështirë të ketë në shoqëri drejtësi dhe barazi mes shtetasve.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›