Historia e një gruaje nga Siria
Nga Cat Carter
(Huffington Post)
Jam strukur pranë Remit, një grua e bukur siriane që jeton në kampin e refugjatëve Za’atari në Jordani. Një shall mbulon flokët e saj ndërsa familja rri pezull aty pranë. Ajo po më tregon për jetën në Dera’a, Siri, dhe arsyet që e detyruan të largohet. Vazhdimisht qan. “Më kujtohet kur vendosëm të largoheshim. Sulmi me predha dhe bomba filloi në 8 të mëngjesit dhe ranë shi mbi ne për tri orë të tëra. Nuk dukej se kishin ndonjë objektiv të qartë, thjesht sulmonin me bomba - breshëri bombash. Por, nëse këto bomba binin në një shtëpi ato vrisnin edhe fqinjët". “Pas tri orësh gjendja u qetësua. Dolëm jashtë dhe pamë që bombat kishin goditur një tjetër strehë. Atëherë e kuptuam që ajo kishte qenë objektivi i tyre. Kishin vrarë 10 persona - të gjithë fëmijë, dhe mamanë e tyre. Ishte masakër. Lotët filluan t’i rridhnin më shpejt, por ajo këmbënguli që dëshironte të vazhdonte të fliste. “Në momentin që menduam se ishin larguar ata u rikthyen. U rikthyen ndërkohë që nuk kishte kaluar as një orë. Kësaj radhe në objektiv vunë xhaminë. Të gjithë ishin atje. Ata e dinin këtë. Njerëzit kishin shkuar për t’u falur por u sulmuan nga ajri. Xhamia trekatëshe u rrëzua aty për aty - para syve të mi. Rrugët ishin mbuluar nga gjaku, ishte diçka e tmerrshme. Skena ishte e pabesueshme, e tmerrshme, e frikshme. Zhurma në rrugë vinte nga terrori. Çdokush kërkonte strehim, siguri, por nuk bëhej fjalë të kishte të tilla gjera. Tani e di që shkollat, spitalet fushore dhe vendstrehimet janë vendet ku rrezikohesh më shumë. Atje nuk kishte media, as fotograf, kështu që askush nga jashtë vendit nuk i di këto”. Në fytyrën e saj mbizotëron një trishtim i pashpresë saqë pothuajse më bën të qaj. Në vend të kësaj i them se jam aty për t’i shpjeguar botës atë që po ndodh, për t’i treguar këto histori, t’i bëj njerëzit që të kuptojnë. Ajo tund kokën dhe në anglisht thotë “të falem nderit, të falem nderit” përsëri e përsëri. Pastaj vazhdon. “Ata vazhduan të bombardojnë edhe pasdreke. Më pas ndaluan për t’u rikthyer me tanke dhe raketa. Energjia elektrike ishte ndërprerë - nuk kishte mjete komunikimi, internet apo drita. Atë natë ne thamë “Mjaft më! Nesër në mëngjes do të largohemi, çfarëdo që të ndodhë? Ndjenim se mund të vriteshim në çdo moment. Vdekja na sillej rrotull, ishte gjithandej. Në qytetin tim nuk ka asnjë familje, as edhe një të vetme, që të mos ketë humbur dike - nga luftimet, ekzekutimet në terren, nga një predhë, bombë apo qoftë edhe nga ekzekutimet në burg”. Nuk jam në gjendje të flas, çfarë mund t’i them? Nuk ka asnjë zgjidhje që mund t’i ofroj, në horizont nuk duket fundi i gjithë kësaj. E pyes së çfarë dëshiron që të bëjnë liderët botërorë, ata me pushtet. “Çfarë dua që të bëjnë liderët botërorë? Dua që të veprojnë. Mjaft më me heshtje! Mjaft! Njerëz të botës - a nuk keni frikë për fëmijët tuaj? Është e njëjta gjë. Fëmijët po vdesin. Ata po vdesin nga bombardimet në Siri. U kërkoj të gjithëve që ta lënë ndërgjegjen të jetë gjykatës, ngase ndjej se ndërgjegja juaj ka vdekur.
Autorja është përgjegjëse për komunikimet emergjente pranë Organizatës për Shpëtimin e Fëmijëve “Save the Children”