E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet seanca gjyqësore e Mujës

Të martën është anuluar seanca gjyqësore e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë të tij. Anulimi i seancës është bërë me kërkesën e palës mbrojtëse të Mujës.

Gjykata e Apelit, ndërkaq ka lëshuar aktvendimin mbi ankesat e avokatëve mbrojtës të Mujës dhe pesë bashkëpunëtorëve, të cilat janë aprovuar pjesërisht nga shkalla e dytë dhe në këtë mënyrë është anuluar aktvendimi i gjykatësit Vladimir Mikula, i cili pat refuzuar të gjitha kërkesat për hedhjen poshtë të padisë.

Seanca e rastit Muja ishte ndërprerë më 25 prill të vitit 2013, me qëllimin që të vazhdojë më 28 maj, i cili po ashtu ishte anuluar. Seanca e 25 prillit qe ndërprerë, pasi mbrojtja paralajmëroi ankesë për hedhje poshtë të aktakuzës në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja dyshohet për shpërdorim të detyrës zyrtare. Një prokurore e EULEX-it, akuzon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn- ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›