E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamentet, sa kushton m2, lista e plotë sipas qyteteve

apartamentetPublikohen tarifat e reja për koston mesatare të ndërtimit dhe vlerën mesatare të apartamenteve për të gjitha qarqet e vendit, dhe disa nga komunat kryesore. Vendimi i qeverisë parashikon që kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave në shkallë republike, për vitin 2013, të jetë 37 806 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Vendimi i Qeverisë gjithashtu përcakton çmimet e tregut të lirë sipas qarqeve. Gazeta zbardh të plotë vendimin e këtij viti, bashkë me çmimet e publikuara.
Vlerat e tregut të lirë
Njëkohësisht nga Enti Kombëtar i Banesave janë hartuar për çdo vit edhe vlerat e apartamenteve tip në tregun e lirë, të shprehura në lek/m² sipërfaqe shfrytëzimi, të cilat kanë rezultuar sipas shit-blerjeve që ka kryer Enti Kombëtar i Banesave, si dhe nga kombinimi i informacionit të marrë në terren nga vëzhgimi i tregut, nga agjencitë imobiliare dhe njoftimet për shit-blerje. Për qytetin e Tiranës vlerat e tregut të lirë janë hartuar sipas ndarjes zonale, duke u bazuar në informacionet e marra në rrugë operative si dhe nga informacioni i marrë nga agjenci të ndryshme imobiliare. Vlerat mesatare të tregut janë nxjerrë për 65 qytete dhe 6 komuna. Në vlerat e kostos mesatare nuk janë përfshirë vlera e rrjetit inxhinierik, vlera e projektit, vlera studimit gjeologjik dhe sizmik, vlera e lejes së ndërtimit, vlera e truallit, si dhe shpenzime operacionale të EKB-së. Ky projektudhëzim i cili miratohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave shërben për planifikimin e fondeve, sipas kritereve të përcaktuara në kuadër të investimit të banesave me kosto të ulët dhe atyre me qira, që financohen nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera financimi, si dhe për të orientuar vlerën limit të prokurimit.
Përfituesit
Familjet që përfitojnë nga banesat e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave, sipas përcaktimeve ligjore, duhet të plotësojnë kriteret. Konkretisht lista e tyre miratohet me vendim të këshillit bashkiak pasi vërtetohet se familjet kanë një nivel të caktuar të ardhurash, nuk kanë në pronësi një banesë, zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Brenda këtyre kategorive ka sërish një seleksionim, ku zgjidhen ata që kanë përparësi, e konkretisht: familjet që vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”; familjet ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar; familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për tu strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror; individët me aftësi të kufizuar që gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare; familjet me shumë fëmijë; çiftet e reja me moshë deri në 55 vjeç; familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi; individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30-vjeçare.
Planifikimi
Çdo bashki parashikon në territorin nën juridiksionin e vet sipërfaqen e truallit për ndërtimin e një numri të mjaftueshëm banesash sociale me qira, bazuar në numrin e popullsisë dhe në përbërjen, sipas grupeve sociale të përcaktuara në ligjin Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane. Në rastet kur vlera e banesave në tregun e lirë është më e ulët se vlera e ndërtimit të banesave të reja, mbi bazën e vendimit të këshillit bashkiak entet menaxhuese blejnë banesa nga tregu i lirë, për ti dhënë më pas me kontratë qiraje sociale. Kushtet, normat dhe standardet që duhet të plotësojnë banesat sociale me qira përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Vlera shtetërore e banesave
Kështu (në bazë të këtij vendimi), në rast se planifikon të blesh një banesë apo çfarëdo ndërtimi tjetër, duhet të konsultohesh më parë për vlerën që i njeh shteti, pasi duhet të paguash edhe tatimin. Kjo nënkupton një kontratë të rregullt blerjeje, ndryshe banesa nuk pajiset me akt pronësie. Politika e tatimeve ka pasur si rregull nxjerrjen e shitjeve mesatare të tregut të ndërtimeve në të gjithë vendin çka nënkupton edhe çmimet mesatare për të blerë një banesë në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›