Spitalet, borxh pacientëve 300 milionë euro
Gabimet mjekësore po iu kushtojnë një mal me para spitaleve shtetërore. Vetëm vitin e kaluar pacientët në total kanë kërkuar 300 milionë lekë për dëmet që mjekët iu kanë shkaktuar, gjatë kurimit apo operacioneve të ndryshme. Madje nisur nga deklaratat e fundit të Urdhrit të Mjekut nuk kanë munguar edhe rastet e humbjes së jetës së pacientëve si pasojë e gabimeve të bluzave të bardha.
Fatura e gabimeve
Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka paguar një faturë të kripur, vlera e së cilës ka shkuar mbi 300 milionë lekë. E gjitha kjo si pasojë e padive që janë ngritur për mjekët, të cilët kanë gabuar në diagnozën apo terapinë dhënë, duke shkaktuar dëme të parikuperueshme në shëndetit e pacientëve. Këto fakte përveçse Urdhrit të Mjekut, janë pohuar së fundmi në media edhe nga drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (ISKSH) Elvana Hana, e cila thotë se në këtë drejtim duhet të ndjekim një model që e kanë dhe vendet e tjera në botë. Çdo gabim mjekësor duhet të shënohet pas evidentimit, në një regjistër të posaçëm online.
Regjistër online
“Ne vitin e kaluar kemi pasur mbi 300 milionë lekë të cilët kanë shkuar pikërisht si shpërblim nga gjykata për disa pacientë që kanë vuajtur nga gabime mjekësore shumë të rënda. Këto gabime mjekësore shumë rrallë shënohen, madje mund të themi që nuk shënohen fare nga mjekët. Bota ka vendosur një sistem informatizimi dhe mbajtje shënim të këtyre gabimeve dhe nxjerrje mësimesh”, thotë Elvana Hana, drejtoreshë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ligj i ri
Gjithashtu drejtoresha Hana shton se sistemi shëndetësor në vend ka nevojë për një ligj të posaçëm si për gabimet mjekësore, por edhe për sigurinë e mjekëve dhe pacientëve. “Nëse ne do të mendojmë për një ligj kompleks, pra, duhet jo vetëm pjesa e shënimit, por duhet dhe pjesa e mbrojtjes”, tha Hana. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar që në spitale të fillojnë të vihen në zbatim fletët informative. Ato vënë në dijeni pacientin për komplikacionet që mund të kenë, e informojnë më saktë për diagnozën, ndërkohë që detyrojnë mjekët që të shënojnë ndërhyrjen mjekësore që kanë kryer, por edhe protokollin që kanë zbatuar.
Urdhri i Mjekut, 30 denoncime nga pacientët
Vetëm pak ditë më parë në një deklaratë për mediat Urdhri i Mjekut raportoi se numri i denoncimeve të pacientëve kundrejt mjekëve po rritet vit pas viti, ku vetëm gjatë vitit 2012 dhe në muajt e parë të 2013-ës janë depozituar 30 denoncime, për gabime mjekësore. Kreu i Urdhrit të Mjekut Dine Abazaj thotë se pjesa më e madhe e këtyre rasteve i përkasin QSUT-së dhe Poliklinikave në Tiranë. Madje burime nga Urdhri i Mjekut pohojnë se një pjesë e mjekëve të akuzuar nga pacientët dhe familjarët e tyre, janë emra të njohur të fushave të ndryshme të mjekësisë shqiptare. Dëmet ndaj pacientëve kanë qenë të rënda, deri në humbjen e jetës së tyre. Duke qenë se gabimet mjekësore kanë një kosto të lartë për buxhetin e shtetit z.Dine Abazaj ka kërkuar miratimin e një ligji të ri, që i siguron mjekët për gabimet mjekësore. Ligje të tilla kërkojnë që profesione të veçanta, sidomos mjekët, të sigurohen ekstra apo qoftë dhe vetë institucionet shëndetësore të sigurojnë stafin e tyre nga gabimet mjekësore, në mënyrë që të përgjigjen para pacientit për dëmet që mund të shkaktojnë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.