Apatia e Ramës paralizon bllokun opozitar, asnjë lëvizje drejt reformës në drejtësi
Shtyrja e mandatit të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore u shoqërua me reagimin e menjëhershëm të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila me anë të një deklarate të posaçme u bëri thirrje partive politike për të përshpejtuar ritmet e punës në komision. Me këtë rast kreu i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch u kujtoi partive politike që të kryejnë ndryshimet ligjore në përputhje me rekomandimet e raportit të OSBE/ODHIR-it dhe analizat e Komisionit të Venecias, duke shtuar se zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje më standardet ndërkombëtare
është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.Megjithatë ndërsa mazhoranca ka një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje opozita e majtë vijon që të endet mes një konfuzioni që në radhë të parë induktohet nga sjellja flegmatike e vetë kryetarit të partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit qoftë në daljet e tij publike qoftë në mjedise informale ka shmangur deri më tani çfarëdolloj komenti apo qëndrimi parimor të selisë rozë në lidhje me një nga 2 reformat kryesore, për të cilat kërkohen rezultate konkrete para mbajtjes së samitit të ardhshëm të NATO-s në muajin prill në Bukuresht, ku edhe pritet që të vlerësohen kontributi i vendeve të Kartës së Adriatikut në partneritet të ngushtë me aleancën veri-atlantike dhe që mund të shoqërohet me ftesën eventuale për anëtarësim. Publikisht Rama i ka bishtnuar pa kurrfarë takti kësaj pyetje me justifikimin se nuk donte të dilte nga tema, ndërsa mes lidershipit qendror ai nuk ka pasur deri më tani asnjë komunikim serioz me bashkëkryetarin socialist për komisionin e posaçëm parlamentar, Kastriot Islami, që deri pak kohë më parë do të pranonte vështirësinë e madhe për tu shprehur në publik mbi këtë çështje, pikërisht për shkak të mungesës së një linje të qartë apo të direksioneve mbi këtë reformë. Duket se as në këtë çështje kaq të rëndësishme, prej së cilës pritet një nivel i lartë përgjegjshmërie nga të gjitha palët e përfshira në të, nuk i kanë shpëtuar xhelozive të ndërsjella mes Islamit dhe Kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili që prej vjeshtës së vitit 2005 kur edhe kryebashkiaku Rama u ul në poltronin e kreut të PS-së dhe bashkë me të edhe të opozitës, ka marrëdhënie të privilegjuara me kryesocialistin. Madje mësohet se të gjitha idetë apo alternativat si për reformën në drejtësi ashtu edhe atë zgjedhore kalojnë më parë përmes tij. Një mirëbesim i tillë ka detyruar Islamin që në media të thurë në lidhje më këtë çështje fraza të përgjithshme e deri diku pa kuptim siç qe ajo që