E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli dënon me gjobë oficerin e policisë

 

Kreshnik Elezi është dënuar për shoqërimin me forcë në polici të drejtoreshës e sekretares së gjimnazit të Kukësit

SHKODËR- Një oficer policie është deklaruar fajtor nga gjykata e Apelit në Shkodër për kryerjen e veprimeve arbitrare. Ai ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë por Apeli ka ndryshuar vendimin. Oficeri i policisë, Kreshnik Elezi, akuzohet për një ngjarje të ndodhur më 13 qershor të vitit të kaluar. Ai ka shkuar në shkollën e mesme të përgjithshme “Hazbi Nela” në Kukës dhe i ka kërkuar sekretares së shkollës t’i vinte në dispozicion amzën e shkollës. Sekretarja i ka kërkuar punonjësit të policisës së veshur civil, autorizimin përkatës për të bërë kontrollin e amzës, dhe kur ai nuk ia ka treguar, sekretarja i ka thënë se nuk ia jepte pa njoftuar drejtoreshën e shkollës. Debati është acaruar edhe me drejtoreshën e shkollës dhe në fund Elezi ka njoftuar furgonin e grupit të gatshëm. Me urdhrin e oficerit, ata kanë marrë në polici drejtoreshën dhe sekretaren e shkollës. Pasi janë shoqëruar në komisariat, dy gratë janë lënë në një dhomë të ruajtur nga një oficere policie për rreth 20 minuta dhe as nuk janë marrë në pyetje dhe as nuk është regjistruar shoqërimi tyre. Vetë drejtori i policisë së Kukësit ka ndërhyrë për këtë çështje sapo e ka mësuar. Ai ka urdhëruar lirimin e tyre të menjëhershëm dhe më pas ka nisur hetimi për oficerin Elezi. Vendimi i djeshëm i Apelit të Shkodrës detyron oficerin që të paguajë edhe 100 mijë lekë të reja gjobë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›