E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i tokave në bregdet, hetim agjencisë në Tiranë

 

Vlorë, prokuroria bën publike detajet e para të operacionit që zbuloi skandalin e vjedhjes së tokave në buzë të detit

VLORË- Hetimi për skandalin e tokave në bregdetin e Vlorës do të shtrihet deri në kryeqytet. Kjo pasi të gjitha vendimet e marra nga tre të arrestuarit e dy ditëve më parë janë miratuar edhe nga zyra qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave. Prokurorët e çështjes kanë zbuluar dje detajet e para të operacionit që solli prangosjen e Genci Panozaqit, ish-drejtori i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave, Sokol Kuçaj ish-juristit pranë kësaj zyre dhe specialistit topograf, Fatmir Xhena.

Tokat

Hetuesit e çështjes shpjeguan dje se janë të paktën tre kallëzime nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me skandalin e abuzimit të pronave në bregdet. “Deri tani mund të konfirmohen me siguri rreth 30 ha truall në zonën e Orikumit, si dhe një sipërfaqe prej 40 dynymësh në zonën pranë rrugës Transballkanike. Vetëm për 30 hektarët e Orikumit ka dy denoncime”,- thanë hetuesit e çështjes. Zëvendës prokurori i rrethit Vlorë, Dorjan Tafili, pohoi dje se një nga denoncuesit në Orikum, kishte pretendimin se ka mbetur pa pronë, ndërsa personi tjetër që do të përfitonte nga një shpronësim, ka pasur zhvendosje të pronës. Ky person duhet të ishte kompensuar me një pronë në kodër por në realitet atij i është dhënë një pronë në zonë bregdetare. Abuzimi tjetër është zbuluar teksa kryheshin shpronësimet për ndërtimin e rrugës Transballkanike. Një sipërfaqe prej 40 dynymësh i është dhënë një personi në mënyrë krejtësisht të padrejtë.

Hetimi

Por hetuesit pohuan se kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. “Fakti që zyra ka vartësi vertikale, bën që hetimi të vijojë edhe për strukturat e qendrës. Ne do të nisim të verifikojmë nëse këto dosje kanë marrë apo jo miratim në agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kjo parashikon që edhe në këtë zyrë të kryhen verifikime të hollësishme, të cilat pritet që të nisin gjatë ditëve në vazhdim”,- thanë prokurorët e çështjes. Gjatë orëve të drekës, dy prokurorët janë paraqitur në gjykatë ku është bërë verifikimi i masës së sigurisë për tre të arrestuarit e dy ditëve më parë. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura por burimet e gjykatës pohuan se ajo ka qenë thjesht një seancë verifikimi pasi masa e sigurisë arrest me burg pa afat në mungesë është dhënë tre ditë më parë.

Situata

Ndërkohë pranë zyrës së kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës, lajmi nuk është përcjellë qetësisht. Kreu aktual i zyrës, Petraq Puleri, tha se është njohur me çështjen nëpërmjet mediave dhe nuk di konkretisht për kë dosje bëhet fjalë. Por ai pranoi se ka informacione se pesë ose gjashtë subjekte pretendojnë pronësinë e të njëjtës tokë. Puleri e ka quajtur këtë një zonë të nxehtë, në lidhje me pretendimet që lindin për titujt e pronësisë, pretendime që sipas tij mund të zgjidheshin në rrugë administrative e më pas nëpërmjet gjyqësorit, i cili duhet të shqyrtojë saktësisht gjithë dokumentacionet, për të vlerësuar si përfitues atë që ka dokumentacionin më të rregullt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›