E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, pasuritë marramendëse të deputetëve

 

Në top-listën e deputetëve më të pasur kryeson deputeti i PDK-së, Tom Doshi, me 10 miliardë lekë. Ndër më të varfrit, Berisha e Bode

TIRANË- Ndërsa qytetarët e thjeshtë detyrohen të jetojnë në kushtet minimale të jetesës, të zgjedhurit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë të majmen pafundësisht. Përveç rrogave dhe favoreve të tjera që gëzojnë si përfaqësues të popullit, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë zotërojnë edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që arrijnë, në jo pak raste, edhe shuma 10 shifrore. Një fakt të tillë e zbulon raporti i organizatës Joqeveritare “MJAFT!”, të titulluar “Unëvotoj”. I prezantuar dje, raporti përmban një përmbledhje të të gjitha të dhënave zyrtare dhe vëzhgimeve në terren të të gjithë deputetëve, për periudhën Shtator-Dhjetor 2007.

Më të pasurit

Pjesë e këtij vëzhgimi, ashtu si dhe në raportet e mëparshme, janë bërë të ardhurat e përgjithshme për secilin prej deputetëve dhe totali i pasurisë së tyre, të vetëdeklaruara prej tyre në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Raporti nëpërmjet një tabele të detajuar, përveç të ardhurave jep dhe të ardhurat neto ku përfshihet vlera e të gjitha pasurive të paluajtshme siç janë shtëpitë, tokat, trojet apo garazhet por edhe detyrimet financiare. Natyrisht edhe për këtë periudhë për të cilën është kryer vëzhgimi sa i përket deputetit më të pasur nuk ka asnjë surprizë, pasi, ashtu si edhe në raportin paraardhës, listën e 140 deputetëve e kryeson deputeti demokristian Tom Doshi, me afro 10 miliardë lekë të vjetra, prej të cilave, 480 milionë në lekë, 3.6 milionë euro dhe 7.2 milionë dollarë. Doshi, i PDK-së, mban kreun e renditjes edhe sa i përket të ardhurave vjetore me plot 200 milionë lekë të vjetra. I dyti në listën e deputetëve më të pasur të Kuvendit renditet deputeti socialist Sadri Abazi me afro 4.9 miliardë lekë të vjetra, ndërkohë që të ardhurat vjetore i ka vetëm 18 milion lekë. Më pas lista vazhdon me deputetin tjetër socialistë Pilo Keri, i cili zotëron një pasuri në vlerën e 1.7 miliardë lekëve të vjetra dhe demokrati Ndriçim Babasi, me 1.1 miliardë po të vjetra. Nuk i mungojnë listës së 10 deputetëve më të pasur edhe dy anëtarë të kabinetit qeveritar, si ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, me nga 480 milionë lekë të vjetra. Listën e dhjetë më të pasurve e mbyll deputeti tjetër demokrat, Sami Gjergji me 440 milionë lekë. Nder deputetët më të pasur renditen edhe ish-kryeministrat Ilir Meta dhe Fatos Nano, me nga 190 dhe 225 milionë lekë të vjetra secili.

Më të varfrit

Raporti “Unëvotoj” ndërsa evidenton deputetët më të pasur, nuk arrin të përcaktojë qartë se cili prej të zgjedhurve tanë në Kuvend është më i “varfëri”. Një përcaktim i tillë nuk është bërë për shkak tëvështirësisë që ka lindur për llogaritjen e treguesve që lindin nga të ardhurat vjetore, detyrimeve financiare dhe pasuria bruto. Problemi qëndron pikërisht tek kreditë dhe detyrimi financiar që lind për shlyerjen e tyre. Megjithatë nga të dhënat e pasqyruara në tabelën e këtij raporti, rezulton se dy deputetët më të rinj të Kuvendit, demokratët Edi Paloka dhe Eris Hoxha, kanë si pasuri të tyre vetëm të ardhurat vjetore, kjo për shkak të mungesës së të dhënave nga ILDKP-ja, pasi ata janë zgjedhur deputetë pasi është bërë deklarimi i detyruar i pasurisë për vitin 2007. Listës së deputetëve me më pak pasuri i shtohet ish-ministri socialist i Kulturës, Blendi Klosi, i cili zotëron vetëm 4.4 milionë lekë të vjetra. Pas tij, në listën e deputetëve më me pak pasuri vjen ministri aktual i Financave, Ridvan Bode, që zotëron vetëm 6 milionë lekë të vjetra. Interesant është fakti se pjesë e listës së deputetëve më të “varfër” është edhe kryeministri Sali Berisha i cili përsëri rezulton me afro 15 milionë lekë të vjetra pasuri. Një fenomen që vihet re në raportin e këtij viti janë borxhet apo kreditë që kanë marrë të zgjedhurit e popullit, duke rrezuar apo “fshehur” deri diku pasurinë e tyre reale. Kështu ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, megjithëse ka marrë dy kredi njëra në shumën e 300 mijë eurove dhe tjetra 43 milionë lekë, ka deklaruar në total vetëm minus 120 milionë lekë të vjetra. Referuar pikërisht kursit të shkëmbit të valutës në të cilin ka bazuar përllogaritjen e pasurive hartuesit e këtij raporti, rezulton që kreu i republikanëve të ketë një pasuri në shifrat e 280 milionë lekëve të vjetra. Kësaj liste i shtohen dhe deputetët Gëzim Karapici me 110 milionë lekë minus, Vangjel Dule me 60 milionë lekë minus, Arben Isaraj me 30 milionë lekë minus dhe Petrit Gjoni me 10 milionë lekë minus.

Tetë deputetët me të pasur                 Lekë

Tom Doshi                                            992.629.260

Sadri Abazi                                          485.083.157

Pilo Keri                                              173.021.265

Ndriçim Babasi                                    118.175.490

Nikollaq Neranxi                                  80.920.000

Paulin Sterkaj                                       73.125.000

Genc Ruli                                             48.880.500

Lulëzim Basha                                       48.855.983

Listën e deputetëve më aktivë, përsëri, ashtu si edhe herën e shkuar e kryeson deputeti socialist Erion Braçe dhe i ndjekur nga kolegët e tij, Pëllumb Xhufi, Valentina Leskaj, Arben Malaj, Dashnor Sula, Tauland Balla, Blerim Çela, Sali Berisha etj.

Lista, të “vegjlit” më pak pjesëmarrës nëKuvend

TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nano rezulton përsëri të jetë deputeti që ka frekuentuar më pak se çdo deputet tjetër jetën parlamentare. Ashtu si në raportin paraardhës, edhe për vëzhgimin e publikuar dje për periudhën Shtator-Dhjetor të vitit 2007, ish-kryetari socialist ka marrë pjesë vetëm në dy séanca plenare, aq sa për të shpëtuar mandatin e tij të deputetit, por edhe rrogën përkatëse që rrjedh prej të qenurit deputet. Kështu, megjithëse raporti “Unëvotoj” evidenton një përmirësim të lehtë të treguesve përsa i përket pjesëmarrjes së deputetëve në seancat plenare, por edhe në komisionet e përhershme parlamentare, Nano përsëri ka marrë pjesë në 2 seanca, nga 56 të zhvilluara në këtë periudhë. Një tjetër rekord negativ shënon Nano edhe për pjesëmarrjen në punimet e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, ku ai është anëtar. Edhe për këtë periudhë kohore, ai s’ka denjuar të marrë pjesë në asnjë mbledhje që ka zhvilluar ky komision. Ndër deputetët më pak të interesuar për jetën parlamentare për këtë periudhë renditet demokristiani Nikollë Lesi, i cili në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 ka ndërruar pozicion në renditjen për pjesëmarrjen më të pakët me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule. Kështu, Lesi ka marrë pjesë në 9 seanca plenare ndërsa Dule në vetëm 10 prej tyre. Pas tyre në listën e deputetëve me më pak prezenca në seance renditen deputetët Sadri Abazi, me 18 të tilla, dhe Tauland Dedja, me 19. Ajo që vlen të evidentohet në këtë rast, është fakti se deputetët indiferentë ndaj pjesëmarrjes në seancë janë të tillë edhe ndaj veprimtarisë në komisione. Kështu, ashtu si Nano, edhe deputetët Nikollë Lesi, Vangjel Dule apo edhe Sadri Abazi, nuk kanë marrë pjesë në asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare ku janë pjesë. Gjithashtu në listën e deputetëve që kanë munguar vërehet se një pjesë e madhe e tyre vijnë nga partitë e vogla të të dyja kahëve.

Ndërkohë që listën e deputetëve më të zellshëm për jetën parlamentare e kryesojnë së bashku disa deputetë, si Erion Braçe, Edmond Spaho, Bashkim Fino, Besnik Bisha, Astrit Patozi etj., të cilët nuk kanë munguar në asnjë prej 56 seancat plenare që janë zhvilluar në këtë periudhë. Raporti jep rezultatet edhe të vëzhgimit që është bërë sa i përket pjesëmarrjes së parlamentarëve tanë në debatet që janë zhvilluar në sallën e Kuvendit. Listën e deputetëve më aktivë, përsëri, ashtu si edhe herën e shkuar e kryeson deputeti socialist Erion Braçe dhe i ndjekur nga kolegët e tij, Pëllumb Xhufi, Valentina Leskaj, Arben Malaj, Dashnor Sula, Tauland Balla, Blerim Çela, Sali Berisha etj. Ndërkohë që në kontrast me këtë kategori, deputetët Sadri Abazi, Ndriçim Babasi, Flori Bajramaj, Gilman Bakalli, Tom Doshi etj., nuk kanë marrë pjesë në asnjë debat parlamentar. Raporti bën një vlerësim edhe përsa i përket qasjes së votimit të nismave ligjore me premtimet elektorale dhe nga monitorimi i bërë për 56 çështje, rezulton se PD ka arritur të prekë në platformën e saj elektorale vetëm 9 nisma, ose dyfish më e vogël se gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Ndërkohë, vlen të përmendet edhe fakti se gjatë periudhës shtator-dhjetor 2007 opozita nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore.

Prezenca /                        Totali i Çështjeve

Fatos Nano                        2-56

Nikollë Lesi                        9-56

Vangjel Dule                      10-56

Sadri Abazi                        18-56

Tauland Dedja                   19-56

Ilir Meta                            23-56

Gilman Bakalli                   26-56

Hamit Kosta                     27-56

Paskal Milo                      27-56

Skënder Gjinushi              29-56

Kastriot Islami                 32-56

Blendi Klosi                     32-56

Tom Doshi                      34-56

Dritan Prifti                     35-56

Leonard Solis               35-56

Neritan Ceka                37-56

“Askush s’dëshiron të qëndrojë në opozitë të përjetshme për tekat e Ilir Metës për kryeministër”

Shpërbehet LSI e Gjirokastrës, anëtarësia shkon tek PS

Gjirokastër- Lëvizjes Socialiste për Integrim në Gjirokastër i largohen 2/3 e anëtarëve. Themeluesit e degës së LSI-së në rrethin e Gjirokastrës, kanë bërë publike dje dorëzimin e 250 teserave të LSI-së. Gjithçka ka ndodhur për 15 minuta, ku pjesa më e madhe e anëtarësisë së kësaj force politike në Gjirokastër ka rënë dakord mos të jetë më pjesë e LSI-së, por t’i bashkohen PS-së. Njëri prej krijuesve të degës së LSI-së në Gjirokastër, Tafil Miho, është shprehur se anëtarësia e LSI-së në Gjirokastër nuk mund të jetë kurrsesi pjesë e një subjekti politik që nuk respekton normat bazë të mendimit ndryshe në parti duke qenë kundër monopolizimit të partisë nga një grup i caktuar. Si për ironi të fatit, tubimi i sotëm i 250 anëtarëve që u larguan nga LSI-për t’iu bashkangjitur PS, është organizuar në ambientin ku u formua dega e LSI-së në nëntor të vitit 2004. “Lidershipi i LSI në Tiranë, po ndjek një politikë armiqësore ndaj pjesës reale të opozitës, vetëm për qëllime vetjake dhe aspak në funksion të ardhjes në pushtet të opozitës vitin e ardhshëm. Për këtë ne kemi denoncuar mjaft herë dhe nuk kemi qenë dakord për politikat e ndjekura nga Ilir Meta”,- është shprehur Tafil Miho, ish-themelues i LSI-së në Gjirokastër dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Gjirokastër, duke shtuar se askush nuk dëshiron të qëndrojë në opozitë të përjetshme për tekat e Ilir Metës për t’u bërë kryeministër. Ndërkohë konfirmohet edhe shkatërrimi i seksioneve të LSI në Komunën e Cepos, Picarit, Bashkisë së Libohovës dhe Komunës Qendër Libohovë.

Deputetët votojnë për kolegët e tyre, duke sjellë në fakt nisma ligjore të pavlefshme

Shkelja e Rregullores, 16 nisma ligjore të pavlefshme

TIRANË- Megjithëse janë zgjedhur për të përcaktuar rregulla, deputetët shqiptarë janë ndoshta njerëzit që i respektojnë më pak ato. Sesioni i pestë i legjislaturës së XII-të të Kuvendit të Shqipërisë ka vazhduar të shënojë përsëri një rritje të konsiderueshme të shkeljeve të Rregullores së këtij institucioni. Shkelje të cilat kompromentojnë ligjshmërinë e mbi 16 nismave ligjore të kaluara në komisionet parlamentare dhe seancë plenare. Sipas vëzhgimit që është pasqyruar në raportin “Unëvotoj” tre janë nenet e rregullores që janë shkelur më shumë nga deputetët; neni 34, që përcakton domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së shumicës së deputetëve, që mbledhjet e komisioneve parlamentare të quhen të vlefshme; neni 57, që përcakton se vota e deputetit është vetjake dhe nuk mund të delegohet dhe; neni 67, që përcakton detyrimin e deputetëve për të mos përdorur telefonat celularë gjatë mbledhjeve në komisione apo në seance plenare. Kështu, nga ky vëzhgim ka rezultuar se janë 31 deputetë që kanë shkelur nenin 57, duke votuar për kolegët e tyre në krah, dhe jo vetëm në një rast. Me shkeljen e këtij neni rezulton se gjatë këtij sesioni kanë kaluar në mënyrë të parregullt 16 nisma ligjore, të cilat nuk duhet të hyjnë në fuqi, por të rikthehen përsëri për rivotim në Kuvend. Disa nga deputetët që kanë votuar për kolegun janë Genc Sharku, Aurel Bylykbashi, Blerim Çela, Astrit Bushati, Besnik Bisha, Ramiz Çobaj, Rapush Tola, Durim Lamaj, Marko Bello etj. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe për të cilën bënë fjalë raporti janë shtyrë dy seanca plenare, njëra për shkak të bllokimit të punimeve dhe tjetra me konsensusin e të dyja palëve. Ndërkohë që rezulton se 13 herë komisionet parlamentare janë shtyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›