Apeli e dënon me 1 vit burg, Salianji: Gjykata me vendim të parapërgatitur

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Gjykata e Apelit dënoi sot me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Salianji akuzohet për kallëzim të rremë për dosjen “Babalja”.
Në një prononcim për mediet, Salianji, u shpreh se, gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur.
“Seanca e kaluar u shty për të marrë vendimin e gjykatës së krimeve të rënda për pushimin e çështjes, pra një vendim i falsifikuar për të hapur këtë proces gjyqësor për kallëzim të rremë në shkallën e parë, e shtyu për t’i dhënë mundësi atij që e ka ndërtuar nga fillimi deri në fund këtë proces që është Fatmir Xhafaj për të sjellë përmes avokatit të tij vendimmarrjen me vulë të njomë dhe sot gjykata në mënyrë të paprecedentë në vend që të rikthente për shkak të falsifikimit të dosjes në gjykatën e shkalles së parë mori vendim për ta pranuar në fillim si provë dhe më pas për të dhënë një vendim që ishte i shkruar”, tha ai.
Ai theksoi se ky është një gjyq politik i pari për agjitacion e propagandë pas 34 vitesh dhe se do të ndjekë të gjitha procedurat e tjera gjyqësore.