SHBA – Biden fton liderët në takimin ndërkombëtar për Ukrainën në Gjermani

UASHINGTON, 26 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Joe Biden ka ftuar liderët në një takim të nivelit të lartë për Ukrainën, në Gjermani në tetor – në të cilin do të koordinohen përpjekjet e më shumë se 50 vendeve mbështetëse, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.
“Unë do të thërras një takim të nivelit të lartë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, në Gjermani muajin e ardhshëm për të koordinuar përpjekjet e më shumë se 50 vendeve që mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus”, tha Biden në një deklaratë – ndërsa njoftoi paketën e re të ndihmës me vlerë rreth 8 miliardë dollarë për Ukrainën – përpara një takimi me presidentin Volodymyr Zelensky në Uashington.
Paketa përfshin një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore “Patriot”, bomba me rreze të gjatë dhe drone.
Zelensky falënderoi SHBA-në për ndihmën, duke postuar në Telegram se vendi i tij do ta përdorte mbështetjen në mënyrën më efikase dhe transparente të mundshme, ndërsa pranoi ndihmën si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët.
Ai vlerësoi gjithashtu programin e trajnimit për pilotët ukrainas në avionët luftarakë F-16. Zelensky tha se sanksionet e reja të vendosura, të cilat dëmtojnë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën kundër Ukrainës, ishin gjithashtu të rëndësishme. //a.i/