Apeli i Fyles: Votoni imunitetit, është hap drejt BE-së

Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Stefan Fyle, pak ditë para seancës që do marrë në shqyrtim nismën për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, i ka shkruar një letër shefit të mazhorancës, Sali Berisha, ku i konfirmon se votimi i afërm për imunitetin do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Me miratimin e deritanishëm të ligjeve, zoti Fyle i thotë kryeministrit Berisha se “ju jeni afër përmbushjes së plotë të angazhimeve...”, por mbetet edhe hapi i fundit, ai që mbahet peng prej biznesmenëve të PS-së
“Rënia dakord dhe votimi i rishikimit të sistemit të imunitetit në përputhje me standardet europiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”.
Kështu i është drejtuar midis të tjerave në letrën e tij, Komisioneri për Zgjerimin Europian Stefan Fyle, Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa ka inkurajuar forcat politike ëpr përmbushjen e rekomandimeve të BE-së, brenda muajit shtator.
Letrën e tij Komisioneri Fyle e fillon me një përgëzim të Qeverisë Berisha, për punën dhe rezultatet në realizimin e reformave si pjesë të rekomandimeve të BE-së.
“Më lejoni para së gjithash të përgëzoj qeverinë Tuaj për punën e konsiderueshme të kryer këtë vit dhe për rezultatet e arritura deri më tani nga të gjitha forcat politike shqiptare, së bashku në Parlament. Në të vërtetë, me miratimin e fundit të Kodit Zgjedhor të rishikuar nëpërmjet një procesi shumë profesional dhe konsensual, ju jeni shumë afër përmbylljes së marrëveshjes politike të nëntorit 2011. Kjo është një zhvillim shumë i mirëpritur dhe premtues. Ka edhe rezultate të tjera të mira e me vlerë për t’u përmendur, për shembull, në fushën e reformës së administratës publike (miratimi i ligjit mbi gjykatat Administrative), të gjyqësorit (puna e mirë përgatitore e bërë për ligjin e Konferencës gjyqësore dhe Ligjin për Gjykatën e Lartë), prona dhe të drejtat e njeriut (zhvillimet me adoptimi i strategjisë për pronën dhe planin e veprimit, dhe zhvillimet pozitive në lidhje me të drejtën e grave dhe personave LGBT)”, ka renditur Fyle, disa nga këto arritje.
Duke i mirëpritur ndryshimet në sistemin e imuniteteve, si pjesë e rëndësishme e luftës kundër krimit të organizuar, Fyle ka nxitur dialogun politik e konstruktiv për përmbushjen edhe të pjesës më të madhe të rekomandimeve, brenda muajit shtator të këtij viti. “Për më tepër, unë do të mirëprisja në vazhdim përpjekjet serioze lidhur me ndryshimet e nevojshme në sistemin e imuniteteve, për përpunimin e një legjislacioni të ri përkatësisht në fushën e administratës publike dhe zhvillimin e forcimin e luftës kundër krimit të organizuar. Në të gjitha fushat, mazhoranca dhe opozita janë të angazhuara në debate serioze dhe konstruktive në lidhje me nevojën e reformave dhe objektivave. Mazhoranca dhe opozita kanë mundësi për të ndërtuar mbi këto zhvillime dhe për të përqafuar më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për të përmbushur prioriteteve kyç të Rekomandimeve dhe të arrihet masa më e madhe e rezultateve deri në shtator”, shprehet Fyle.
Më tej Fyle, ndërsa e ka ftuar Kryeministrin Berisha për të promovuar përparmin e mëtejshëm të perspektivës evropiane të Shqipërisë, e ka quajtur një hap të rëndësishëm në përputhje me standardet, miratimin e imuniteteve. “Ju, si kryeministër, jeni në pozitën më të mirë për të inkurajuar këtë proces dhe për të promovuar përparimin e mëtejshëm të perspektivës europiane të Shqipërisë. Në këtë drejtim, duke rënë dakord dhe votuar rishikimin e sistemit të imunitetit në përputhje me standardet europiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Progresi për sa i përket miratimit të amendamenteve të propozuara të Ligjit për Gjykatën e Lartë do të ishte një zhvillim i rëndësishëm. Reformat në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një faktor kyç për të lëvizur përpara në rrugën e integrimit në BE”, vijon në letrën e tij Komisioneri Fyle.
Në këtë letër, Fyle ka vlerësuar reformat e ndërmarra deri më tani nga qeveria shqiptare, si dhe ka shprehur besimin e tij se ky progres do të vijojë dhe më tej.
“Besoj se ju personalisht, si kreu i qeverisë, do të vazhdoni punën tuaj të fokusuar dhe të frytshme për reformat, si dhe të vazhdoni të jeni i sinqertë dhe i aftë për të bërë kompromis në mënyrë që të arrihen rezultatet e kërkuara dhe të nevojshme në shtator. Sigurisht, që procesi i reformave duhet të vazhdojë edhe më pas, duke synuar në mënyrë të veçantë në implementimin e këtyre reformave”, shkruan Fyle në mesazhin për Kryeministrin Berisha.
Njëkohësisht, Komisioneri për Zgjerimin Europian në këtë letër garantoi mbështetjen e procesit integrues të vendit nga ana e Komisioni Europian. “Më lejoni të përfundoj duke vlerësuar administratën shqiptare nën lidershipin e Ministrisë për Integrimin Europian për gatishmërinë, transparencën e shëndoshë dhe sinqeritetin, së bashku me Komitetin Parlamentar për Integrimin Europian, për angazhimin frytdhënës në konsultimet intensive me Komisionin Europian për procesin e reformave, dhe për rezultatet e arritura deri tani. Më lejoni gjithashtu të nënvizoj rëndësinë e dhënies së informacioneve për Shtetet Anëtare në Bashkimin Europian rreth avancimit të reformave në Shqipëri, meqë do të jenë ata që do të thonë fjalën e fundit për hapat e ardhshëm të rrugës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni Europian do të vazhdojë të japë mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet e Shqipërisë në procesin e reformave. Komisioni do të japë një vlerësim objektiv të progresit të Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, në Raportin e Progresit në muajin tetor. Besoj se me arritjet e deritanishme dhe me frymën e njëjtë të bashkëpunimit, dialogut dhe kompromisit të treguar deri më tani do ta ndihmojë Shqipërinë për të avancuar në drejtim të objektivit të saj kombëtar të integrimit në Europë”, përfundon mesazhin e tij për Kryeministrin Sali Berisha, Komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle.