Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për sekuestrimin e celularit të Ajola Xoxës

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar sot ankimimin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për sekuestrimin e celularit të saj, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Ajola Xoxa është nën masën “detyrim paraqitjeje” për akuzën e fshehjes së pasurisë, ndërsa kryebashkiaku Veliaj u arrestua më 10 shkurt, me akuzën e korrupsionit pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Njoftimi i plotë i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trupë gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 15.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 92, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses A.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 20.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi kundërshtimin e vendimit të prokurorit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 93 Akti, datë 20.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
/a.f/r.e/