E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO liron nga burgu ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar liroi sot nga burgu ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja, në cilësinë e kryesuesit, si dhe anëtarët Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj, të cilët vendosën shuarjen e masës së sigurimit “arrest me burg”, dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit në burgun e Durrësit.

Apeli i GJKKO shqyrtoi çështjen pas ankimimit të paraqitur nga ish-kryeprokurori, i cili kërkoi shuarjen e masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në korrik të vitit 2024.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit.

SPAK akuzoi ish-kryprokurorin e Vlorës për, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Aurel Zarka komunikoi përmes aplikacionit Sky Ecc me ish-oficeren Erjona Daupaj për të ndërhyrë në fatin e dosjes “Toyota Auris”, si dhe në dy çështje të tjera në qytetin bregdetar.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›