E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK vendos, Osmani kandidate për presidente, Abdixhiku për kryeministër

PRISHTINË, 9 maj /ATSH/ Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar për propozimin që Vjosa Osmani të jetë si kandidate për presidente të vendit dhe Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm tha se propozimi i tij është miratuar fillimisht në kryesinë e kësaj partie.

“Kam propozuar garën e përbashkët për President të Republikës dhe për kryeministër të Republikës. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… dhe njëkohësisht, bartësin e listës sonë zgjedhore, dhe me mua, kryetarin e LDK-së, si kandidat nga LDK për Kryeministër të Republikës”, tha Abdixhiku.

Ai ka bërë të ditur se kanë një listë bashkuese.

“Këtë të martë, në takimin e përbashkët të Kryesisë Qendrore dhe kryetarëve të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam shtruar para tyre propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ndërtohet mbi rehati politike, por mbi përgjegjësi shtetërore. Një listë që nuk synon vetëm rezultat zgjedhor, por kthim të ekuilibrit politik e institucional të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Ishin mbi 100 vota pro këtij propozimi. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›