E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO pezullon burgun për ish-kryebashkiaken e Libohovës, e konverton në shërbim prove

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për deklarimin fajtore të ish-kryebashkiakes së Libohovës Luiza Mandi për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Por ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli i GJKKO-së me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), pezulloi dënimin me 8 muaj burg për Luiza Mandin, duke e konvertuar në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 38, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me ndryshimin: Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën Luiza Mandi dhe vënia në provë për një afat prej një vit e katër muaj, duke u detyruar e pandehura të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Gjirokastër, në juridiksionin e së cilës ka vendbanimin, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”, njofton Apeli i Posaçëm.

Sipas vendimit të gjykatës Luiza Mandi duhet t’iu përgjigjet thirrjeve e kërkesave të organeve për mbikëqyrjen e provës.

Ish-kryebashkiakja e Libohovës u dënua pas kallëzimit në SPAK të një qytetari, që pretendoi se i ishte dëmtuar prona gjatë një projekti publik për zgjerimin e një rruge.

Sipas tij, ndonëse qytetarit i ishte premtuar se do t’i riparohej prona, kjo gjë nuk ndodhi. SPAK konstatoi se qytetari i ishte cenuar prona private.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›