Apeli i GJKKO-së e dënon Safet Gjicin me 4 vite e 6 muaj burg për korrupsion pasiv

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur të rëndojë pozitat e ish-kryetarit të bashkisë Kukës, Safet Gjici, duke e dënuar për “Korrupsion pasiv”, ndësa nga Gjykata e Shkallës së parë u dënua për “Shpërdorim Detyre”.
Përfundimisht, Apeli i GJKKO e dënoi Gjicin me 4 vite e 6 muaj burg për akuzën e “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Gjici do të kryejë 3 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi 1 vit e 6 muaj burg për Alma Kaçin, e cila u shpall fajtore për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Në bazë dhe për zbatim të vendimit për gjykim të shkurtuar, Kaçi do të vuajë përfundimisht 1 vit burgim. Kaçi në shkallën e parë akuzohej për “Prostitucion”.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit dhe Kaçi u arrestuan pas një videoskandali të publikuar në media.
Vendimi Apelit të GJKKO, u shpall sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare). Vendimi lidhej me çështjen e regjistruar në datë 13.05.2024 , mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimet e paraqitura nga ankuesit/të pandehurit Safet Gjici dhe Alma Kaçi, kundër vendimit, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 24.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 33 akti, datë 13.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimet e paraqitura nga ankuesit/të pandehurit S.Gj. dhe A.K., kundër vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Gj. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr. Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri S.Gj. me 2 (dy) vjet burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin S.Gj. fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
- Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit S.Gj. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës A.K., lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg.2, i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën A.K. me 1 (një) vit burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurën A.K. fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.
- Lidhur me provat materiale disponohet sipas kërkesës së Prokurorisë.
- Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar”.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. S.Gj. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 4 vjet dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Z. S.Gj. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 3 vjet burgim.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Znj. A.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1 vit dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Znj. A.K. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 1 vit burgim.
- Lënien në fuqi të Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të disponimeve.
- Shpenzimet gjyqësore të gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mundet të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
/r.e/