E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO shtyn seancën për kryebashkiakun Veliaj

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Pas më shumë se 7 orësh, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nuk ka dalë me një vendim për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.

Sipas medieve, Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi që të shtyjë seancën për ditën e mërkurë, datë 12 mars, në orën 12:30, pasi avokatët e Veliajt, kanë kërkuar më shumë kohë që të njihen me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Avokatët e Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani, gjatë seancës, sipas medieve, kërkuan masë më të butë sigurie kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat.

Ndërkohë, edhe Romina Zano, avokatja e biznesmenit Elban Abule, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest me burg”, ka kërkuar masë më të butë kundrejt garancisë pasurore.

Edhe biznesmenët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula si dhe Meriman Palushi, kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë. Dy të fundit nuk ishin në seancë, por kishin dërguar avokatët. Të tre ndodhen në masën detyrim paraqitjeje, nën akuzë për korrupsion, ndërsa avokatët e tyre kanë kërkuar heqjen e masës, me argumentin se nuk është në nivelin e standardit ligjor, pasi sipas tyre provat nuk janë të mjaftueshme.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbahet në qeli prej 10 shkurtit dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›