Apeli i PS, dëmshpërblimi i të përmbyturve të jepet tani

Tiranë, 12 Janar NOA - Partia Socialiste i bëri
thirrje qeverisë që të nxjerrë urgjent vendimin për ti dhënë lekë në dorë çdo
familjeje që jeton në zonën e përmbytur, që ka humbur tokën, të mbjellat,
bagëtinë dhe burimin e përditshëm të jetesës.
Deputetja e PS Eglantina Gjermeni doli para
pak minutash në një deklaratë për mediat ku edhe një herë e cilësoi qeverinë si
të votave të vjedhura dhe komentoi situatën në veri:
Shqiptarët e kanë tashmë të qartë se
katastrofa e ditëve të para të këtij viti të ri, nuk ishte një katastrofë
natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj
qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm.
Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa
katandi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç
thotë Kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së
shtetit, i mos zbatimit të ligjit dhe rregullave, që e përcaktojnë qartë kuotën
limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve, - tha Gjermeni.
Sot, teksa mijëra shqiptare vazhdojnë ti
kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe të mbjellat në dorë të fatit, Sali Berishës
i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: të dëmshpërblejë me lekë në dorë, çdo
familje të dëmtuar. Sot. Tani, - theksoi Gjermeni.
Për të gjithë këta njerëz, Sali Berisha nuk
duhet të premtojë, por të veprojë. Tani. Sot. Të dëmshpërblejë të gjitha
familjet e prekura nga përmbytjet, me para në dorë. Të kompensojë qindarkë për
qindarkë të gjitha dëmet e shkaktuara. Ky është apeli ynë. Ky është apeli
i shqiptarëve, - përfundoi Gjermeni.
e.r/NOA