E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet ende në dyshim qëndrimi i opozitës pas datës 7 mars

Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, akuzoi dje kryetarin e partisë, Edi Rama, se nuk ka mbledhur prej tre muajsh Kryesinë e partisë, ndërkohë që vijon mbledhjet me aleatët. Për sa i përket qëndrimit politik, ai u bashkohet zërave të deputetëve të Mendimit Ndryshe, të cilët do të futen në Kuvend, pavarësisht vendimit të PS-së. “Jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku do vendoset. Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në Parlament. Të mos harrojmë se ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama, ku është kërkuar hapja e kutive dhe në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në Parlament. Me logjikë për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar ky kusht, nuk shoh se si mund të hyhet në Parlament. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi thënë se do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do të vendosim”, tha Harasani në një emision në “Alsat”. Sakaq, në kushtet e një mosbesimi të gjithanshëm mbi vendimet e gjykatave e aq më shumë ato që lidhen me politikën, Partia Socialiste jep një tjetër provë se nuk beson te drejtësia.
Në kushtet kur mazhoranca “kërcënon” deputetët socialistë se nëse nuk hyjnë në Parlament deri në datën 7 mars, atëherë do të bëjë zëvendësimin e tyre me emrat e kandidatëve që vijnë më poshtë në listë, selia rozë thotë se nuk ka ndërmend të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim një vendim të tillë të Parlamentit. Deputeti socialist, Erjon Braçe, tha dje në një prononcim për gazetën “Shqip”, se çështja e mandatit lidhet me vullnetin individual të secilit prej deputetëve dhe nëse ai vendos ta lërë mandatin e bën këtë duke u paraqitur te komisioni i verifikimit të mandateve. Në këtë mënyrë, Braçe arsyeton se e lë apo jo mandatin, kjo i takon vetë deputetit në fjalë dhe s’ka asnjë të drejtë Kryetarja e Kuvendit që të veprojë. I pyetur se përse nuk mund të ndiqet rruga e ankimimit në Kushtetuese, Braçe është skeptik, jo vetëm për këtë institucion, por edhe për shumë të tjera, të cilat, sipas tij, janë nën presion politik të mazhorancës. Referuar Gjykatës Kushtetuese, ai merr për shembull mungesën e vendimit për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, por edhe shumë vendime të tjera që nuk po jepen. Duke pranuar se trupi gjykues ndodhet nën presionin politik, ai thotë se nuk duhet harruar edhe zëvendësimi i mjaft anëtarëve në muajin prill, çka pritet ta rëndojë situatën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›